Kompania e njohur e videolojërave Rockstar Games është vënë sërish në shënjestër të hakerëve, duke shënuar një tjetër incident sigurie brenda pak vitesh.
Rasti vjen pas sulmit të bujshëm të vitit 2023, kur një i ri me origjinë shqiptare, Arion Kurtaj, arriti të depërtonte në sistemet e kompanisë dhe të publikonte materiale të lidhura me lojën shumë të pritur Grand Theft Auto VI.
Sipas raportimeve të fundit nga mediat e sigurisë kibernetike, një grup hakerash ka pretenduar se ka fituar akses në serverat e Rockstar përmes një ofruesi të jashtëm cloud. Ata kanë kërcënuar se do të publikojnë të dhëna të marra në mënyrë të paligjshme nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre financiare.
Megjithatë, kompania ka reaguar duke minimizuar situatën. Në një deklaratë për BBC, Rockstar bëri të ditur se bëhet fjalë për një sasi të kufizuar informacioni jo të ndjeshëm dhe se incidenti nuk ka ndikuar në funksionimin e saj apo tek lojtarët.
Ky është rasti i dytë brenda një periudhe të shkurtër kohore që kompania përballet me një sulm të tillë. Në vitin 2023, Kurtaj, atëherë vetëm 18 vjeç, arriti të sigurojë qasje në të dhëna konfidenciale, përfshirë edhe kod burimor dhe pamje nga zhvillimi i lojës.
Si pasojë e atij sulmi, rreth 90 video nga versioni i papërfunduar i lojës u shpërndanë në forume online, duke detyruar kompaninë të publikonte trailer-in zyrtar më herët nga sa ishte planifikuar.
Arion Kurtaj ishte pjesë e grupit të njohur të hakerëve Lapsus$, një rrjet adoleshentësh që ndërmori sulme ndaj disa kompanive të mëdha ndërkombëtare gjatë viteve 2022 dhe 2023.
