Më 16 gusht ndërroi jetë në Romë ikona e televizionit italian, Pippo Baudo. Pas vdekjes së tij, është zbuluar se një pjesë e rëndësishme e pasurisë së tij ka kaluar te sekretarja e besuar, Dina Minna.

Sipas mediave italiane, Minna ishte krahu i djathtë i 89-vjeçarit për më shumë se 30 vite.

Dina Minna, që shpesh përshkruhet si “engjëlli mbrojtës” i prezantuesit legjendar, e ka shoqëruar atë në çdo hap të karrierës dhe jetës private, duke fituar besimin e plotë të tij.

Vendimi i Baudos për ta përfshirë gjerësisht në testament ka ngjallur reagime dhe komente të shumta në opinionin publik italian. Sekretarja, 54 vjeçe, që e ka shoqëruar Baudo-n që nga vitet ’80, ka përfituar një trashëgimi pothuajse të barabartë me dy fëmijët e 89-vjeçarit.

Mediat italiane shkruajnë se fëmijët e Pippo Baudos, Alessandro dhe Tiziana, mbeten trashëgimtarë ligjorë të tij, por gjesti i prezantuesit për të vlerësuar sekretaren e tij të përkushtuar është parë si një surprizë e madhe.

Pippo Baudo u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në kulturën televizive italiane dhe tani edhe një testament që po komentohet gjerësisht.