Një tjetër këndvështrim mbi Rogertin vjen këtë herë nga personi që e njeh më mirë se kushdo tjetër jashtë lojës. E ftuar në “Big Brother Radio”, Enxhi ka vendosur të flasë për herë të parë publikisht rreth rrugëtimit të bashkëshortit të saj në Big Brother VIP Albania 5, duke sjellë një panoramë më personale të figurës së tij.
Duke u cilësuar si antagonist në lojë, sa shqetësuese kanë qenë komentet për familjarët e tij?
Është komentuar shumë, ashtu siç ti bëre hapjen e emisionit. ‘Kush është kjo grua, kush është kjo femër që i qëndron pranë këtij njeriu?’. Ideja është që të them që nuk më kanë impaktuar në fillim do gënjeja sepse Rogerti është në lojë në Big Brother. Ndërkohë që njerëzit jashtë nuk po kursehen në komentet e tyre. Janë pa kufij, pa filtra, jashtë Big Brother. Ndonjëherë më vjen mirë që Rogerti ka zgjedhur të jetë ky model aty në Big Brother sepse që të jesh model i mirë ma merr mendja që është shumë e thjeshtë. Të jesh i keqi i domosdoshëm, apo të jesh një model ndryshe, është e vështirë të përqafohet, të pranohet. E themi shpesh ne në zhargon që ‘e vërteta është e hidhur’, por është e vërtetë dhe mendoj që Rogerti ka thënë disa të vërteta aty brenda. Mënyra e të thënit? Mendoj që nuk jemi dakord të gjithë mbase me mënyrën se si ai i qaset banorëve në përgjithësi.
A është Rogerti emocional jashtë BBV?
Unë them që ai tentoi të bënte këtë Rogertin e mirë dhe emocional. E ka tentuar me Juelën dhe mendoj që mua më pëlqen marrëdhënia që ai ka krijuar, është shumë njerëzore.
Lidhur me këtë, është bërë ajo xheloze për qëndrimin mes tyre?
Absolutisht që jo. Më duket një marrëdhënie shumë e bukur, organike mes miqsh. Nuk kam parë asgjë në konotacion të keq nga të dyja palët, e theksoj. Është një miqësi që lindi gradualisht, në mënyrë shumë organike dhe më vjen mirë kur Rogerti ka njerëz që i qëndrojnë afër në lojë./TAR


