Kuzhinier i njohur botëror, Gordin Ramsay ka ndarë me ndjekësit në Instagram lajmin për heqjen e karcinomës bazocelulare, një formë e kancerit të lëkurës.
Ai publikoi dy fotografi pas ndërhyrjes, një me fashë dhe tjetrën ku shiheshin qepjet duke treguar hapur atë që kishte përjetuar.
“Jam mirënjohës për ekipin fantastik tek The Skin Associates dhe për reagimin e tyre të shpejtë në heqjen e këtij karcinomi. Ju falënderoj! Ju lutem, mos harroni kremin kundër diellit këtë fundjavë. Premtoj që nuk është ‘face-lift’, ndoshta duhet të kërkoj kthim parash…”, shkroi Ramsay me humor.
Menjëherë pas postimit, ndjekësit dhe miqtë e tij e mbushën rrjetin me komente mbështetëse. “Shumë e rëndësishme që të flitet hapur për gjëra të tilla. Vendosni kapelë, përdorni krem kundër diellit dhe kërkoni hije. Shërim të shpejtë!”, shkroi një fans.
Një tjetër shtoi: “Bravo që bëre kontrollin e lëkurës! Kjo është diçka që të gjithë duhet ta bëjmë rregullisht”.
Edhe llogaria zyrtare e organizatës Cancer Research UK reagoi ndaj postimit: “Jemi të lumtur që je mirë, Gordon dhe falëminderit që po rrit ndërgjegjësimin për rëndësinë e mbrojtjes nga dielli. Kërkoni hije, mbulohuni dhe përdorni shpesh e me bollëk krem kundër diellit”.