Një çështje që përfshin pagesa të dyshimta dhe marrëdhënie financiare me një ish-zyrtar të sigurisë së Kombëtares franceze ka vënë në vëmendjen e autoriteteve Kylian Mbappen dhe nënën e tij, Fayza Lamari. Sipas mediave franceze, sulmuesi i Real Madridit është marrë në pyetje në kuadër të hetimeve që lidhen me Mohamed Sanhadjin, 57 vjeç, i cili për më shumë se dy dekada ishte përgjegjës për sigurinë e ekipit kombëtar të Francës dhe kishte krijuar marrëdhënie të ngushta me disa prej futbollistëve.
Sanhadji është vënë zyrtarisht nën akuzë më 16 shtator për korrupsion dhe vepra të tjera të dyshuara. Gazeta franceze “L’Équipe” raporton se Mbappe është pyetur nga autoritetet në Paris më 30 shtator, për të sqaruar disa prej lidhjeve financiare me ish-zyrtarin. Në fokus të hetimit është një transfertë prej 60.300 eurosh, të cilën futbollisti ia kishte dërguar Sanhadjit në qershor të vitit 2023. Sipas raportimeve, paratë lidhen me një bonus që Mbappe kishte përfituar pas Botërorit të zhvilluar në Katar.
Përfaqësues të futbollistit kanë shpjeguar se pagesa ishte një shenjë falënderimi për personat që ishin kujdesur për sigurinë e lojtarëve. Sipas tyre, përfitues të shumës kishin qenë edhe katër zyrtarë të tjerë. Megjithatë, hetuesit po shqyrtojnë rrethanat e transfertës, pasi Sanhadji dyshohet se nuk e kishte raportuar atë te eprorët.
Një tjetër element që po analizohet është një udhëtim i Mbappes në Kamerun, ku ai ishte shoqëruar nga Sanhadji vetëm pak javë pas pagesës. Autoritetet po përpiqen të zbardhin nëse ish-zyrtari kishte ofruar shërbime private sigurie për futbollistin dhe nëse kishte marrë shpërblim financiar për to.
Në hetim është përfshirë edhe Fayza Lamari, nëna e sulmuesit francez. Sipas raportimeve, në vitin 2024 Mbappe i kishte dhënë Sanhadjit një hua prej 120 mijë eurosh, e cila ishte realizuar përmes nënës së tij. Lamari është marrë në pyetje më 9 tetor nga tre gjyqtarë hetues. Një nga çështjet që kërkon sqarim lidhet me kërkesat e saj për ndihmë nga Sanhadji për katër aplikime për viza, në emër të personave nga rrethi i saj.
Rasti nuk kufizohet vetëm te Mbappe. Sipas raportimeve mediatike, në marrëdhëniet financiare me Sanhadjin përmenden edhe emra të tjerë të njohur të futbollit. Ish-sulmuesi i Bayern Munichut, Franck Ribery, dyshohet se kishte mbuluar shpenzimet e një udhëtimi të tij në Sicili, ndërsa Raphael Varane dhe Laurent Blanc raportohet se i kishin dhënë hua. Hetimet synojnë të sqarojnë natyrën e këtyre marrëdhënieve, qëllimin e pagesave dhe nëse ka pasur shkelje ligjore. Përfshirja e emrave të njohur në këtë çështje nuk nënkupton automatikisht përgjegjësi penale, ndërsa rrethanat dhe pretendimet e ngritura mbeten për t’u vlerësuar nga drejtësia franceze.




