Këngëtarja dhe aktorja e famshme Lady Gaga ka ndarë për herë të parë vështirësitë e mëdha me të cilat u përball gjatë xhirimeve të filmit të suksesshëm “A Star Is Born”, duke zbuluar se ishte nën ndikimin e ilaçeve gjatë gjithë periudhës së xhirimeve dhe se më pas përjetoi një episod psikotik që e çoi drejt kolapsit total emocional. Filmi, ku Gaga interpreton krah aktorit dhe regjisorit Bradley Cooper, i solli asaj lavdërime të shumta nga kritika, si dhe një çmim Oscar për “Këngën më të mirë origjinale” me hitin “Shallow”. Megjithatë, pas ekranit, jeta e artistes ishte larg shkëlqimit që publiku shihte.
Në një intervistë të re, pas suksesit të saj më të fundit me albumin “Mayhem”, i cili mori shtatë nominime për çmimet Grammy, 39-vjeçarja rrëfeu periudhën më të errët të jetës së saj. “E bëra A Star Is Born me litium,” tha ajo. “Menjëherë pas xhirimeve dhe ndërsa isha në turne, përjetova një episod psikotik. Një ditë, motra ime më tha: ‘Nuk e shoh më motrën time’. Aty u kuptova se diçka nuk shkonte.” Pas atij momenti, Gaga anuloi turneun dhe kërkoi ndihmë mjekësore. “Një ditë shkova në spital për kujdes psikiatrik. Më duhej të bëja një pushim. Nuk mund të bëja asgjë… U rrëzova plotësisht. Ishte vërtet e frikshme. Kishte një kohë kur nuk mendoja se do të shërohesha. Ndihem me fat që jam gjallë,” shtoi ajo për Rolling Stone.
Artisja theksoi se ndihma dhe dashuria e të fejuarit të saj, Michael Polanski, kanë luajtur një rol thelbësor në shërimin e saj. “Të qenit e dashuruar me dikë që kujdeset për veten time të vërtetë bëri një ndryshim të madh,” u shpreh ajo. Megjithatë, Gaga pranon se rikthimi drejt vetvetes ka qenë një proces i gjatë dhe i vështirë. “Si mëson të jesh vetvetja me dikë kur nuk di si të jesh vetvetja me askënd?”pyeti ajo.



