Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Afrikën e Jugut, ku një pronar parku safari humbi jetën pasi u sulmua nga një elefant gjatë një shëtitjeje me turistë.
Gary Freeman, 65 vjeç, bashkëpronar i rezervatit natyror Klaserie, ishte duke udhëhequr një grup prej katër turistësh përgjatë lumit në zonë, kur një elefant u shfaq papritur dhe e sulmoi. Ai tentoi ta trembte kafshën duke nxjerrë revolverin, por nuk qëlloi.
Sipas burimeve, ngjarja ndodhi shumë shpejt dhe Freeman nuk arriti të shpëtonte nga sulmi. “Gary u përpoq të ndalte sulmin, por nuk qëlloi asnjëherë. Elefanti ishte shumë shpejt mbi të dhe ishte, siç mund ta imagjinoni, një situatë e tmerrshme. Nuk ka asgjë që mund të ndalojë një elefant të zemëruar prej gjashtë tonësh”, ndërsa shtuan se gjithçka përfundoi brenda pak çastesh.
Turistët u përpoqën ta ndihmonin, duke e transportuar me urgjencë për ndihmë mjekësore, por ai nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të rënda.
Freeman ishte i njohur për dashurinë e tij ndaj elefantëve. Ai kishte deklaruar më herët se do të preferonte të vdiste nga një elefant sesa të qëllonte një të tillë.
Policia në provincën Limpopo ka nisur hetimet për rastin, ndërsa ekspertët po analizojnë sjelljen e kafshës. Nuk është marrë asnjë masë ndaj elefantit.

