Artistja e njohur shqiptaro-amerikane e popit, Bebe Rexha, duket se ka hyrë në një fazë krejt të re të jetës dhe karrierës së saj muzikore. Pas vitesh suksesi në majat e industrisë, ajo ka vendosur të shkëputet nga modeli tradicional dhe të ndjekë një rrugë më të pavarur, duke nisur një partneritet strategjik me shtëpinë diskografike dhe distribuese Empire, me bazë në Bay Area të Shteteve të Bashkuara.
Ky hap vjen pas një periudhe të gjatë dhe jashtëzakonisht të suksesshme me Warner Records, ku Rexha publikoi tre albume dhe firmosi disa nga hitet më të dëgjuara të dekadës së fundit.

Këngë si “Meant to Be”, “I’m A Mess”, “Me, Myself, and I”, “In the Name of Love” dhe superhiti global “I’m Good (Blue)” e konsoliduan atë si një nga emrat më të fuqishëm të popit modern. Gjatë këtyre viteve, ajo bashkëpunoi me artistë të njohur botërorë si David Guetta, Lil Wayne, J Balvin, Doja Cat, Snoop Dogg, Kylie Minogue dhe Louis Tomlinson, duke ndërtuar një profil ndërkombëtar të pakontestueshëm.
Zbulimi i marrëveshjes së re nuk erdhi përmes një njoftimi zyrtar klasik, por në mënyrë direkte, vetë Rexha e konfirmoi lajmin në rrjetet sociale, në përgjigje të një fansi, duke lënë të kuptohet se “epoka e saj e re” tashmë ka nisur.
Ky nuk është thjesht një vendim biznesi
-është shprehur Rexha, duke theksuar se besimi i Empire në vizionin e saj ka rindezur frymëzimin dhe kreativitetin.
Nga ana tjetër, themeluesi i Empire, Ghazi, e cilësoi Rexhën si një ikonë të popit dhe një kantautore me ndikim të jashtëzakonshëm, duke e përshkruar këtë bashkëpunim si fillimin e një kapitulli ambicioz për të dyja palët.
