Legjenda e muzikës Paul McCartney ka zbuluar një deklaratë surprizuese që, sipas tij, ia kishte thënë dikur Yoko Ono për bashkëshortin e saj, ikonën e muzikës John Lennon.
Në një intervistë për revistën Vanity Fair, të realizuar në vitin 2015 dhe të publikuar së fundmi në kuadër të dokumentarit Man on the Run, McCartney tregoi se Ono e kishte telefonuar pak kohë pas vdekjes së Lennonit.
Sipas tij, ajo i kishte thënë:
E di, mendoj se John mund të ketë qenë homoseksual.
McCartney u shpreh se nuk ishte dakord me këtë ide dhe se gjatë kohës që kishin kaluar bashkë në vitet ’60 nuk kishte parë asgjë që do ta mbështeste një teori të tillë.
Unë i thashë se nuk jam i sigurt për këtë. Kur e njihja unë, nuk më dukej kështu. Ne kalonim shumë kohë bashkë dhe nuk kishte asnjë shenjë apo gjest që ta tregonte këtë.
John Lennon dhe Yoko Ono u martuan në mars të vitit 1969 dhe qëndruan bashkë deri në vdekjen tragjike të Lennonit më 8 dhjetor 1980, kur ai u vra në New York City nga një fans i fiksuar, Mark David Chapman. Çifti kishte një djalë së bashku, Sean Ono Lennon, i lindur në vitin 1975. Lennon kishte gjithashtu një tjetër djalë, Julian Lennon, nga martesa e tij e parë me Cynthia Lennon.
Në intervistë, Paul McCartney foli edhe për dokumentarin e tij të ri në Prime Video, i cili ndjek jetën dhe karrierën e tij pas shpërbërjes së grupit legjendar The Beatles. Ai pranoi gjithashtu se gjatë viteve kishte dëgjuar kritika që e fajësonin për ndarjen e grupit dhe se në një moment kishte filluar t’i besonte edhe vetë këtyre komenteve.
Sa herë që dëgjoja dikë që më kritikonte duke thënë se e prisha grupin, ndonjëherë edhe unë filloja ta besoja.




