Një 41-vjeçare në Florida është arrestuar pasi dyshohet se lejoi djalin e saj 11-vjeçar të drejtonte makinën, duke shkaktuar një aksident. Ngjarja ndodhi më 16 gusht, pranë një pike 7-Eleven në Riverview, Florida. Sipas autoriteteve, Carribean Myers e lejoi të birin të drejtonte automjetin nga banesa e tyre drejt një pike karburanti, ndërsa ajo qëndronte në sediljen e pasagjerit.

Situata doli jashtë kontrollit kur 11-vjeçari tentoi të frenonte për të ndaluar makinën. Sipas Zyrës së Sherifit, ai ngatërroi pedalet dhe shtypi aksidentalisht gazin, duke bërë që automjeti të përplasej me një parmak betoni. Për fat të mirë, fëmija dhe nëna e tij nuk pësuan lëndime fizike. Autoritetet bëjnë me dije se 11-vjeçari, i cili ka autizëm, nuk u dëmtua nga përplasja.

Hetimi zbuloi gjithashtu se Myers nuk kishte patentë shoferi të vlefshme që prej korrikut. Sipas autoriteteve, ajo dyshohet se kishte lejuar edhe më parë fëmijët e saj të mitur të drejtonin automjete pa qenë të pajisur me leje drejtimi. Myers përballet tashmë me akuza për abuzim me fëmijët dhe lejimin e drejtimit të automjetit nga një i mitur i paautorizuar. Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë e fëmijëve dhe përgjegjësinë e prindërve, veçanërisht në rastet kur të miturit lejohen të drejtojnë automjete në rrugët publike.