Arbër Hajdari ishte i ftuar këtë mbrëmje në “Goca dhe Gra”, ku foli për rolin e tij në Big Brother si opinionist, punën e tij në Fondacion dhe jetën familjare.

Por ai është surprizuar nga babai i tij, Shkëlqim Hajdari, i cili i kishte shkruar një letër emocionuese, ku theksonte sa krenar ishte për të dhe punët e tij.

Letra e plotë:

I dashur Arbër!

Dëshmitarët e punëve që bën ti, janë të shumtë, kudo ku ka shqiptarë që punojnë e jetojnë.

Me të drejtë shumica e tyre flasin me respekt për kontributin që ti tashmë jep prej vitesh si në Fondacion ashtu edhe në Big Brother.

Ky publik sot duhet të njihet edhe me disa punë të tjera për të cilat ti je zotuar e unë jam dëshmitar… Para 5 vitesh unë kalova një çast të vështirë shëndetësor dhe ndaj vendosa që kompetencat në drejtimin e familjes t’i delegoj tek ty.

Sot pas 5 vitesh konstatoj se ti je një djalë “babë”, siç themi ne shqiptarët për djemtë dinjitozë, një bir nëne që megjithë ngarkesën që ke nënën tënde e ke prioritet në përkujdesje…

Arbër, jam krenar që me vëllain dhe motrën duheni sikur ishit fëmijë të vegjël… Jam krenar për ty si babi shembullor i Rainës, më e vogla e familjes sonë…

Je një bashkëshort mirëkuptues dhe jam krenar për marrëdhënien e ngrohtë ju keni krijuar bashkë! Me miqtë e mi në Kosovë, që ti dhe Vlera na bëtë krushq, ke një raport sikur të jesh djalë i asaj shtëpie…

Ndaj sot publikisht merre hallallin e babës, se dhe ky është po kaq i rëndësishëm sa ai i nënës. Bëfsh punë të hajrit gjithë jetën për familjen tënde të madhe, për njerëzit në nevojë dhe për Shqipërinë.

Paç shëndet e jetë të gjatë biro!

Shkëlqim Hajdari.

P.S. Të fala e përqafime gocave qe të kanë ftuar aty!