Lionel Messi ka folur sërish për rivalitetin historik me Cristiano Ronaldo-n, duke e cilësuar atë si një nga periudhat më të bukura sportive në historinë e futbollit.

Ylli argjentinas theksoi se përballjet mes tyre kanë qenë gjithmonë brenda fushës dhe se mes tyre nuk ka pasur kurrë probleme personale.

“Ajo që ndodhi ishte një rivalitet i bukur sportiv. Është diçka e natyrshme në botën e futbollit. Unë isha te Barcelona dhe ai ishte te Real Madrid-i, dhe ne garonim për gjithçka si kolektivisht ashtu edhe individualisht, kështu që njerëzit na krahasonin gjithmonë”, deklaroi Messi.

Tetë herë fituesi i Topit të Artë shtoi se marrëdhënia mes tyre ka qenë gjithmonë e bazuar në respekt. “Marrëdhënia jonë ishte gjithmonë e mirë dhe respektuese, dhe gjithçka që ndodhi ishte thjesht atletike. Nuk kishte asgjë personale”, u shpreh ai.

Messi pranoi gjithashtu se kontaktet mes tyre kanë qenë të rralla, pasi zakonisht takoheshin vetëm në ndeshje apo ceremoni çmimesh.

“Nuk takoheshim shpesh përveç në ndeshje ose ceremoni çmimesh, dhe gjithmonë ishim në marrëdhënie të mira. Tani jemi në faza të ndryshme të jetës sonë, por ajo që ndodhi ishte një rivalitet i bukur sportiv”, përfundoi Messi.