Shtatëmbëdhjetë vjet pasi nëna e saj u vra nga mafia e pamëshirshme kalabreze, Denise Garofalo i dha fund jetës, në moshën 35-vjeçare, në të njëjtën moshë që ishte Lea Garofalo kur u vra. Denise ishte një nga figurat më simbolike në historinë e luftës kundër mafias italiane. Ajo ishte vajza e gruas që vendosi të thyente ligjin e heshtjes dhe të denonconte aktivitetet e ish-partnerit të saj dhe shefit të mafias, duke paguar në fund me jetën e saj për këtë zgjedhje.

Vite më vonë, vetë Denise do të ndiqte gjurmët e nënës së saj. Ajo dëshmoi kundër babait të saj, Carlo Cosco-s, dhe luajti një rol të rëndësishëm në dënimin e personave të përfshirë në vrasjen e nënës së saj.

Lea Garofalo u vra më 24 nëntor 2009, me urdhër të ish-partnerit të saj, Carlo Cosco. Ajo kishte lindur në Petilia Policastro, në Kalabri, dhe kishte vendosur të bashkëpunonte me autoritetet, duke dëshmuar për aktivitetet e paligjshme të klanit mafioz, të cilat përfshinin trafikun e drogës, vrasjet dhe aktivitetet e grupeve mafioze nga Kalabria deri në Milano.

Që nga viti 2002, ajo kishte qenë pjesë e një programi për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe jetonte nën një identitet tjetër, me organizatën Libera në krah të saj. “Po e bëj për vajzën time”-u tha ajo autoriteteve, duke shpjeguar vendimin e saj për të bashkëpunuar.

Ishte pikërisht marrëdhënia e saj me Denise-n ajo që, siç doli më vonë, u përdor për ta joshur. Ish-partneri i saj e bindi të takohej me të në Milano, duke pretenduar se donte të fliste për vajzën e tyre. Imazhet e fundit të Leas u kapën nga kamerat e sigurisë në zonën e Arco della Pace, në Milano. Më pas ajo u rrëmbye, u vra dhe trupi i saj u shpërbë. Mbetjet e saj u zbuluan rreth tre vjet më vonë.

Për Denise-n, goditja ishte e dyfishtë. Përveç zbulimit të fatit të tmerrshëm të nënës së saj, ajo u përball me faktin se babai i saj dhe i riu me të cilin kishte nisur një lidhje ishin arrestuar për vrasjen. Në fakt, ishte partneri i saj i atëhershëm ai që ndihmoi autoritetet të gjenin eshtrat e Leas.

Në gjyqin e zhvilluar në Gjykatën Penale të Milanos, Denise dëshmoi e mbrojtur pas një ekrani dhe me mbështetjen e avokatit të saj. Pavarësisht presionit dhe përpjekjeve për ta frikësuar, ajo akuzoi drejtpërdrejt të atin. Dëshmia e saj rezultoi vendimtare në zhvillimin e çështjes dhe në dënimin me burgim të përjetshëm që pasoi.

Ashtu si nëna e saj, Denise zgjodhi të bashkëpunonte me autoritetet dhe të paraqitej si palë civile në gjyqin kundër babait të saj dhe bashkëpunëtorëve të tij. Denise mbeti nën mbrojtje deri në vitin 2018. Ajo jetoi me një identitet tjetër, arriti të punonte dhe u përpoq ta ndërtonte jetën e saj nga e para, nën mbrojtjen e shërbimeve kompetente.

Ajo kishte edhe një fëmijë, ndërsa më vonë punoi në shërbimin publik. Trauma e asaj që kishte përjetuar, megjithatë, mbeti e thellë. Më 6 shtator, 35-vjeçarja u përpoq t’i jepte fund jetës në Ariccia, në periferi të Romës. Ajo u shtrua në spital për katër ditë, por përfundimisht ndërroi jetë.

Prokuroria e Velletrit ka hapur tashmë një hetim ndaj personave të panjohur, për mundësinë e nxitjes së vetëvrasjes. Si pjesë e hetimit, pritet të merret në pyetje partneri i saj, i cili ndodhej në shtëpi dhe ishte në gjendje shoku kur ndodhi incidenti. Autoritetet kanë urdhëruar gjithashtu një ekspertizë dixhitale të telefonit të saj celular.

Qëllimi i hetuesve është të rindërtojnë ditët e fundit të jetës së saj dhe të përcaktojnë nëse ka pasur ndonjë ngjarje, komunikim apo presion që mund të ketë qenë i lidhur me vendimin e saj.

Denise Garofalo ndërroi jetë pasi kaloi pothuajse të gjithë jetën e saj të rritur nën hijen e një krimi që tronditi Italinë. Dëshmia e saj kishte kontribuar në vendosjen e drejtësisë për nënën e saj, duke e shndërruar atë në një simbol të rezistencës kundër mafies.