Vetëm një ditë pasi Kiara Tito zbuloi publikisht një “kusht martesor” që i kishte vendosur Luiz Ejllit para hyrjes së tij në shtëpinë e “Big Brother VIP 5”, duket se rregulli u shkel pa shumë hezitim.

Moderatorja e “Fan Club”, me nota humori, kishte treguar se i kishte kërkuar bashkëshortit të saj të mos shfaqej më pa bluzë në shtëpi, duke e cilësuar tashmë si një “burrë të martuar”.

Por realiteti brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri tregoi se zakonet e vjetra vështirë se ndryshojnë. Mbrëmjen e kaluar, Luizi u pa duke lëvizur sërish lirshëm pa bluzë, duke e thyer premtimin vetëm pak orë pasi ishte bërë publik.

Situata nuk kaloi pa u vënë re nga publiku, i cili reagoi menjëherë me montazhe, meme dhe komente ironike në rrjetet sociale. Shumë prej tyre e quajtën këtë moment si “dështimin e parë” të Kiarës për të vendosur rregull në marrëdhënien e tyre.

Edhe vetë Kiara reagoi me sportivitet dhe humor, duke ripostuar në “Instagram” një foto ku vihej në dukje “shkelja” e Luizit, shoqëruar me një emoji të përlotur, duke treguar se e gjithë situata merret me të qeshur.

Dinamika mes çiftit vijon të jetë pikërisht ajo që publiku ka dashur gjithmonë: spontane, pa filtra dhe plot momente argëtuese. Edhe nga jashtë shtëpisë, Kiara duket se e ndjek çdo hap të Luizit me humor, ndërsa fansat shijojnë çdo detaj të vogël të marrëdhënies së tyre, që vazhdon të jetë një nga më të komentuarat e këtij edicioni.