Një ditë më parë, Elton Ilirjani publikoi fotografi dhe video nga takimi i munguar prej vitesh dhe i shumëpritur i këngëtares Parashqevi Simaku dhe djalit të saj, Luke Nolfe.
Ky takim ishte shumë emocionues për vetë nënë e bir, por edhe për publikun që e pa në “Instagram”-in e biznesmenit të njohur, i cili bëri të mundur këtë ribashkim.
Në imazhet e postuara nga Eltoni, i pranishëm ishte edhe ish-bashkëshorti i këngëtares dhe babai i djalit, Robert Nolfe.
“Ai është nervoz. Faleminderit, Zoti të bekoftë ty Elton dhe Zoti bekoftë Robertin”, u shpreh në fillim këngëtarja, teksa dukej qartë emocioni që po përjetonte dhe mirënjohja për ata që e ndihmuan të bënte ëndrrën e saj realitet.
“O shpirt i mamit, o dielli im”, i drejtohet ajo djalit, ndërsa e pyet nëse mban mend gjë nga Shqipëria, po ai përgjigjet: “Jo”.
I pyetur nga Elton Ilirjani, Luke Nolfe pohoi se ndihet mirë që ritakoi pas shumë vitesh nënën e tij.
Elton Ilirjani: Luke si ndihesh, ndihesh mirë
Luke Nolfe: Po
Elton Ilirjani: E do nënën tënde?
Luke Nolfe: Po
Elton Ilirjani: Si e gjete… të pëlqen pamja këtu, është një pamje shumë e bukur
Luke Nolfe: Më pëlqen
“Luka e dëgjoi gjashtë herë këngën ‘E duam lumturinë’. U krenua me nënën e vetë! Nuk e prisja këtë reagim pozitiv pas kaq shumë vitesh. Dashuria triumfoi sërish dhe gjithmonë do të triumfojë. Dashuria nuk blihet me para. Kjo histori nuk kishte nevojë për para dhe këtë ma mësoi Parashqevi Simaku”, u shpreh Ilirjani që dëshmoi takimin e rrallë familjar.
Ndërsa vetë këngëtarja, pas takimit përshkroi në një tjetër video ndjesitë e saj.
“Një falenderim për këtë engjëllin që bëri një mrekulli për mua, nuk e harroj sa të vdes. Një përshëndetje shpirtërore nënës së tij, që u bë shkak që Eltoni të linte luksin e Majemit dhe të vinte këtu. Nuk e harroj sa të ves, e ka derën e zemrës të hapur, edhe djali, edhe Roberti kanë të njëjtën dashuri”.