Mbrëmjen e djeshme ishte bashkë moderatore në “Goca dhe Gra”, Kiara Tito, e cila foli për sezonin e ri të “Portokallisë”, për bashkëshortin Luiz Ejlli dhe vajzën e tyre, Luna Mari.
Por jo vetëm kaq, pasi ndodhi edhe një moment i papritur, ku Kiara foli live me aktoren e njohur, Olta Gixhari.
Gjatë transmetimit, Olta u përfshi përmes një telefonate, dhe sapo dëgjoi zërin e Kiarës, ajo reagoi me ngrohtësi dhe sinqeritet.
“Gëzohem që po flasim bashkë, edhe pse kaq larg. Unë po kaloj një periudhë të pakëndshme, por mirë jam”, u shpreh Gixhari, duke treguar se, pavarësisht vështirësive, ruan pozitivitetin dhe forcën e saj.
Ndërkohë, Kiara e pyeti me kujdes se si po ndihej, pasi një ditë më parë u bë e ditur se Olta nuk ishte mirë me shëndet, pasi kishte kaluar një problem me syrin.
Nga ana tjetër, Olta nuk harroi të dërgonte edhe një përshëndetje për Lunën dhe për Luizin.
“Kiara, të përqafoj fort dhe ma puth Lunën. Meqë je, ma puth edhe Luizin”, tha ajo me humor, duke bërë që studioja të shpërthente në të qeshura. Kiara e priti mire këtë koment, duke e shoqëruar me të qeshur.
Kujtojmë se Kiara, Luizi dhe Olta kanë qenë së bashku në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, në edicionin e dytë të “Big Brother VIP”.