Një rrëfim shokues ka dalë së fundmi nga bota e krimit italian, ku ish-anëtari i mafias, Giampaolo Manca, ka zbuluar se legjenda e Milan-it, Marco van Basten, kishte qenë dikur shënjestër e një rrëmbimi të planifikuar, raporton “Corriere dello Sport”. Sipas Manca-s, ideja ishte organizuar nga krimineli famëkeq italian Renato Vallanzasca, i cili ia kishte rrëfyer planin gjatë kohës që të dy ndodheshin në burg.

Van Basten, një nga yjet më të mëdhenj të futbollit botëror në fundin e viteve ‘80 dhe fillimin e viteve ‘90, thuhet se ishte ndjekur për muaj të tërë nga grupi kriminal, me synimin për ta rrëmbyer dhe për të kërkuar një shumë të madhe parash si shpërblim. Sipas dëshmisë së Manca-s, plani kishte hyrë në fazë serioze organizimi dhe përgatitjet kishin zgjatur për një kohë të gjatë. Megjithatë, gjithçka u anulua në momentin e fundit për një arsye krejt të pazakontë.

Vallanzasca ishte tifoz i çmendur i Milan-it dhe nuk donte t’i bënte një nder Inter-it, ka treguar Manca, duke lënë të kuptohet se rrëmbimi i ikonës holandeze mund të kishte dëmtuar rëndë klubin kuqezi dhe t’i hapte rrugë rivalëve të përfitonin. Historia ka rikthyer vëmendjen te periudha e errët e Italisë në vitet ‘80 dhe ’90, kur figura të njohura publike dhe sportive shpesh përfundonin në shënjestrën e grupeve kriminale.