Moderatorja e njohur, Marina Vjollca, feston ditën e sotme ditëlindjen. Ajo ka marrë urime të shumta nga fansat, miqtë, kolegët dhe familjarët. Por urimi që me siguri i ka zbukuruar ditën e saj të veçantë është ai i bashkëshortit të saj, Getoar Selimi.
Ky i fundit ka publikuar në profilin e “Instagram”-it një foto ku Marina shfaqet së bashku me vajzën e tyre.
“Gëzuar ditëlindjen gruaja ime e dashur dhe nëna e engjëllit tonë. Ti më bën të lumtur dhe krenar për gjërat që kemi ndërtuar së bashku”, janë fjalët plot dashuri që reperi i njohur ka shkruar bashkëngjitur me foton e ëmbël.
Kujtojmë se kjo është ditëlindja e parë e Marinës që po e feston me statusin e të qenurit nënë. Më 24 nëntor të vitit që lamë pas, bukuroshja dhe partneri i saj, Getoari, u bënë për herë të parë prindër.
Çifti u bekua me një vajzë, të cilës i vendosën emrin Marget (nga bashkimi i emrave, Marina dhe Getoar). Marina u shfaq në ekran deri ditët e fundit të shtatzënisë dhe u rikthye menjëherë pas lindjes duke mos lënë pas pasionin e saj për televizionin.