Një gjykatë në Innsbruck të Austrisë ka dënuar me burgim të përjetshëm dy prindër, Kevin dhe Nathalie M, pasi u shpallën fajtorë për vrasjen dhe torturimin e djalit të tyre 3-vjeçar, Elias. Fëmija kishte përjetuar muaj të tërë keqtrajtimi përpara se të ndërronte jetë në maj të vitit 2024, si pasojë e kequshqyerjes dhe dehidratimit të rëndë. Hetimet zbuluan se ai ishte izoluar nga pjesa tjetër e familjes dhe ishte mbajtur në kushte të rënda, ndërsa tre motrat e tij ishin trajtuar normalisht.

Ekspertiza mjeko-ligjore tregoi se në momentin e vdekjes, Elias peshonte vetëm shtatë kilogramë, shumë më pak se pesha mesatare për moshën e tij. Gjykata dëgjoi se prindërit nuk kishin kërkuar ndihmë mjekësore edhe pse gjendja e tij ishte përkeqësuar ndjeshëm.

Sipas prokurorëve, çifti jetonte në një botë fantazie mistike, duke pretenduar se djali ishte i pushtuar nga një demon. Një ekspert i fushës së shëndetit mendor deklaroi se ata shfaqnin çrregullime personaliteti me tipare sadiste.

Autoritetet zbuluan gjithashtu komunikime dhe materiale që dokumentonin abuzimin, çka rëndoi më tej pozitën e tyre në gjykatë. Tre motrat e Elias janë vendosur në familje kujdestare.