Michael B. Jordan është i fokusuar te karriera e tij dhe nuk e ka në plan të krijojë një familje së shpejti. Në një intervistë për GQ, aktori 38-vjeçar foli hapur për këtë vendim, duke theksuar se për momentin ka prioritete të tjera. “Thjesht sepse jam konkurrues dhe e di që do të doja të bëhesha babai më i mirë. Por tani po përpiqem të jap maksimumin në këtë fazë të jetës sime”-shpjegoi ai.
Jordan është një nga emrat më të kërkuar të Hollywood-it dhe angazhimet e tij profesionale nuk po i lënë shumë hapësirë për një jetë familjare. Ai aktualisht po promovon filmin “Sinners”, një bashkëpunim tjetër me regjisorin Ryan Coogler dhe po përgatitet për debutimin e tij si regjisor me ribërjen e “The Thomas Crown Affair” për Amazon MGM Studios.
Përveç këtyre projekteve, aktori do të luajë edhe në “I Am Legend 2”, krah Will Smith, duke vazhduar kështu suksesin e filmit post-apokaliptik të vitit 2007. Me kaq shumë projekte në duar, duket se Michael B. Jordan nuk ka ndërmend të ndalet së shpejti.




