Një histori që duket si film, por është krejt reale, po trondit botën e rrjeteve sociale: një “influencere” seksi, patriote dhe ultra-konservatore amerikane rezulton të mos ekzistojë fare!

Pas profilit viral “Emily Hart”, që mblodhi mijëra ndjekës dhe miliona shikime, fshihej në të vërtetë një student 22-vjeçar nga India, i cili përdori inteligjencën artificiale për të krijuar një identitet tërheqës dhe për të fituar para online.

Sipas WIRED, i riu ndërtoi me kujdes personazhin: një infermiere “patriote”, me pamje të ngjashme me aktoren Jennifer Lawrence, që postonte foto provokuese dhe mesazhe të forta politike pro MAGA.

Por kjo nuk ishte thjesht lojë, ishte biznes.

Brenda pak javësh, profili “shpërtheu”: mijëra ndjekës të rinj çdo ditë, video me miliona shikime dhe para të lehta nga abonime dhe përmbajtje ekskluzive
Madje, ai përdori platforma si Fanvue për të shitur përmbajtje “të nxehtë” të gjeneruar nga AI duke arkëtuar mijëra dollarë në muaj.

“Po fitoja para pa bërë pothuajse asgjë,” rrëfen ai për WIRED.

Skandali bëhet edhe më i fortë: krijuesi i profilit pranoi se i konsideronte ndjekësit e tij “super budallenj”, duke pretenduar se audienca konservatore ishte më e lehtë për t’u manipuluar.

Në fund, rrjeti social e mbylli llogarinë për aktivitet mashtrues, por jo para se “biondja fantazmë” të linte gjurmë dhe të hapte një debat të madh mbi rrezikun e inteligjencës artificiale.

Ekspertët paralajmërojnë se raste të tilla do të shtohen, pasi AI po e bën gjithnjë e më të vështirë dallimin mes reales dhe mashtrimit.

Një gjë është e sigurt: në epokën e AI, jo çdo “influencer” është ai që duket… dhe ndoshta, shumë prej tyre nuk ekzistojnë fare.