Kompania e inteligjencës artificiale e lidhur me Elon Musk po përballet me një padi të re, pas akuzave se teknologjia e saj është përdorur për krijimin dhe shpërndarjen e materialeve seksuale të paligjshme.

Në qendër të çështjes është një viktimë e abuzimit seksual, ndërsa padia pretendon se kompania nuk ka zbatuar mekanizmat e nevojshëm të sigurisë për të parandaluar gjenerimin dhe përhapjen e përmbajtjeve të tilla në platformën X. Sipas pretendimeve të ngritura në proces, një material i abuzimit seksual të fëmijëve, i krijuar përmes inteligjencës artificiale, është shfaqur dhe më pas është shpërndarë në rrjet.

Akuzat nuk janë të reja. Në janar, Elon Musk i kishte mohuar publikisht pretendimet, ndërsa kompania kishte ndërmarrë veprime ligjore ndaj dy përdoruesve që e kishin akuzuar, duke kërkuar gjithashtu mbulimin e kostove ligjore.

Megjithatë, rasti aktual paraqet një tjetër dimension të problemit. Ndryshe nga çështjet e mëparshme, ku janë përdorur fotografi reale të të miturve për të krijuar materiale të manipuluara, këtu fokusi është te përmbajtja e gjeneruar drejtpërdrejt nga inteligjenca artificiale. Avokatët paralajmërojnë se zhvillimi i këtyre teknologjive krijon rreziqe të reja për viktimat, të cilat mund të përballen me pasoja të rënda psikologjike dhe me përhapjen e pakontrolluar të materialeve abuzive në internet.