Matt Damon ka treguar se transformimi fizik për rolin e Odiseut në filmin epik “The Odyssey” të Christopher Nolan ishte një nga sfidat më të mëdha të karrierës së tij.
Aktori 55-vjeçar pranoi se përgatitja për këtë rol nuk kishte asnjë ngjashmëri me kohën kur interpretonte Jason Bourne në të 30-at, pasi kësaj radhe iu desh të ndryshonte plotësisht stilin e jetesës.

Është një ndryshim i plotë i stilit të jetës. Nuk mund ta planifikosh. Në role të tjera mendoja: ‘Do t’i organizoj stërvitjet sipas orarit’. Këtë herë nuk funksiononte kështu. Duhej thjesht të ecje me gazin në fund dhe të haje më pak-u shpreh Damon në podcastin “Good Hang” të Amy Poehler.

Një nga ndryshimet më të mëdha ishte eliminimi i plotë i glutenit nga dieta.

Aktori tha se ky vendim i ndryshoi jetën dhe e ndihmoi të arrinte peshën që kishte pasur për herë të fundit në shkollën e mesme.

Heqja dorë nga gluteni ma ndryshoi jetën. Më riktheu në peshën që kisha në gjimnaz-rrëfeu ai.

Përveç dietës së rreptë, Damon iu nënshtrua edhe një programi intensiv stërvitjeje për të krijuar fizikun që Christopher Nolan kërkonte për Odiseun: të dobët, por njëkohësisht të fuqishëm.

Megjithatë, aktori pranoi se sakrificat nuk përfunduan me kaq.

Xhirimet në vende të largëta si Greqia, Italia, Islanda, Skocia dhe Sahara Perëndimore ishin aq intensive, sa ekipi shpesh flinte vetëm pesë orë në natë.

Nëse arrije të flije pesë orë, ishe i lumtur. Kishte net kur isha aq i lodhur, sa nuk arrija as të flija-tregoi ai.

Pavarësisht lodhjes dhe kushteve të vështira, Matt Damon e përshkroi eksperiencën si një nga më të bukurat e jetës së tij.

Ishte e vështirë për të gjithë. Pikërisht kjo e bëri kaq të veçantë. Nuk ndihej si xhirim filmi, por si një ekspeditë. Është një nga rolet më të mëdha që kam pasur ndonjëherë dhe një nga ndjesitë më të bukura të karrierës sime-u shpreh aktori.