Bota e kinemasë ka humbur një nga figurat më të dashura dhe më me ndikim të pesë dekadave të fundit. Aktorja ikonë Diane Keaton ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare në Kaliforni. Lajmi u konfirmua nga revista “People”, ndërsa familjarët e saj kanë kërkuar privatësi në këtë moment të dhimbshëm. Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje mbi shkakun e vdekjes.

Keaton ishte e njohur jo vetëm për talentin e saj në ekran, por edhe për stilin unik të veshjes, i cili përfshinte kostume, rripa të mëdhenj, syze dhe kapele. Ajo shpesh mbante kapele të gjerë, jo thjesht për stil, por edhe për arsye të shëndetit dhe rehatisë personale. Keaton ka treguar se ndiente pasiguri për trupin e saj dhe veshjet e saj ishin një formë mbrojtjeje që fsheheshin “mëkate, ankth dhe papërsosmëri”.

Një arsye tjetër e rëndësishme ishte mbrojtja nga dielli, pasi Keaton vuajti nga kanceri i lëkurës që në moshën 21-vjeçare. Ajo gjithmonë ka promovuar përdorimin e kremrave me SPF, duke treguar rëndësinë e kujdesit ndaj lëkurës. Përveç problemeve me lëkurën, Keaton ka folur hapur edhe për luftën me buliminë, një çrregullim i të ngrënit që e përjetoi në të njëzetat pasi u kërkua të humbiste peshë për një rol.