Mbështetja e partnerit pas lindjes, pritshmëritë ndaj grave për rikthimin në formë dhe falja e tradhtisë u kthyen në tema debati në studion televizive “Ftesë në 5”, ku të ftuarat Eda Bano, Enki Nako dhe Klaudia Pashaj ndanë këndvështrimet dhe përvojat e tyre personale.

Diskutimi u përqendrua te roli i partnerit në një marrëdhënie, por edhe te standardet e dyfishta që shoqëria shpesh vendos ndaj grave dhe burrave.

Në qendër të bisedës ishte rasti i modeles së Victoria’s Secret, e cila u rikthye në pasarelë pak javë pas lindjes dhe u duartrokit publikisht nga bashkëshorti i saj. Ky gjest u bë viral në rrjetet sociale, ku partneri u cilësua si “burri i ëndrrave”. Megjithatë, në studio pati mendime të ndryshme për vlerësimin e këtij veprimi.

Klaudia Pashaj e konsideroi mbështetjen e partnerit si pjesë të përgjegjësisë së tij në një marrëdhënie, duke theksuar se nuk bëhej fjalë për diçka të jashtëzakonshme.

“Është tamam kjo puna e vet. Bëri jo detyrën e vet, rolin e tij. Kështu që nuk është se ka bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme ky burri që ne po e duartrokasim. Ka bërë punën që duhet të bënte”, u shpreh ajo.

Nga ana tjetër, Eda solli në vëmendje faktin se jo të gjithë partnerët janë mbështetës, duke theksuar se disa meshkuj ndihen të kërcënuar nga suksesi i partnereve të tyre.

“Ka shumë meshkuj që janë xhelozë për suksesin e partnereve të tyre ose, më saktë, në qoftë se femrat arrijnë më shumë se ata vetë, thellë-thellë janë xhelozë dhe nuk duartrokasin kurrë. Kështu që, dakord, është standardi që ai ka bërë detyrën e tij, por kemi plot raste që nuk e bëjnë”, tha Eda.

Ajo qëndroi gjithashtu te ideja se mbështetja e vërtetë nuk duhet të kufizohet vetëm te momentet e bukura, por të jetë e pranishme edhe në vështirësitë që sjell jeta familjare.

Një tjetër çështje që ngjalli diskutime ishte tradhtia dhe mundësia e faljes së saj. Eda pranoi se nuk mund ta përjashtojë plotësisht mundësinë e një gabimi në një marrëdhënie, duke shpjeguar se një vendim i tillë nuk është gjithmonë aq i thjeshtë sa duket nga jashtë.

“Unë nuk kam imunitet, nuk jam vaksinuar, pra si çdo njeri tjetër i rruzullit edhe unë mund të më ndodhë. Nuk është e këndshme, ta themi botërisht që s’është e këndshme. Të marrësh ato masat ekstreme, divorcin, është kollaj ta thuash, por ato kalojnë një stres të jashtëzakonshëm mendor”, u shpreh ajo, duke lënë të kuptohej se do t’i jepte partnerit një mundësi tjetër.

Klaudia, nga ana tjetër, mbajti një qëndrim më të prerë, duke theksuar se përgjegjësia familjare duhet të jetë mbi çdo vendim individual.

“Unë nuk mendoj që do ta falja në këtë stad të jetës që jam. Ne e kemi marrë të dy me vullnet të lirë këtë përgjegjësi familjare. Më fal, pse nuk e mendon ai këtë familjen? Pse duhet ta mendoj unë që të mos e shkatërroj, kur e shkatërroi ai me një tradhti? Kështu që jo, përgjigjja është jo”, deklaroi ajo.

Diskutimi u zhvendos më pas te presioni që përjetojnë gratë për t’u rikthyer në formë menjëherë pas lindjes. Enki tregoi përvojën e saj personale, duke theksuar se rikuperimi fizik nuk është i njëjtë për të gjitha gratë dhe se krahasimi me modelet mund të krijojë pritshmëri të gabuara.

“Trupi i asnjërës nuk është njësoj. Duhet të merren parasysh të gjithë faktorët. Nuk është aq e thjeshtë. Krijohen pak këto pritshmëritë dhe zhgënjimet, të bashkangjitura edhe me emocionet dhe luhatjet hormonale që ne kemi menjëherë pas lindjes. Mund të arrijë të jetë pak vetëshkatërrues mendimi: ‘Shiko sa shpejt, sa mirë është kjo, dhe s’jam unë’”, tha Enki.

Ajo rrëfeu gjithashtu se kishte vendosur të mos e kishte humbjen e peshës si përparësi gjatë periudhës së ushqyerjes me gji.

“Deri në momentin që ai do të ushqehet me gji, nuk ka asnjë gjë rëndësi përveç faktit që unë të jem e shëndetshme dhe të ushqej fëmijën tim. Deri në atë pikë nuk e kisha menduar. Pastaj, në momentin që ajo përfundoi, vendosa të gjeja një dietë që më përshtatej mua, sepse jo të gjitha metodat që gjen online funksionojnë për të gjithë”, tregoi ajo.

Në përfundim, Eda theksoi se dashuria dhe partneriteti nuk duhet të maten me pamjen fizike apo suksesin profesional, por me mënyrën se si dy njerëz qëndrojnë pranë njëri-tjetrit në çdo fazë të jetës.

“Jeta nuk është gjithmonë kaq e bukur. Nuk je gjithmonë në pasarelë. Mund të dëmtohesh, mund të të kapë ndonjë sëmundje, mund të kalosh sprova të rënda. Ajo është dashuria, ai është burri. Atë duam ne të shohim”, përfundoi ajo diskutimin.//TCH