Djimon Hounsou, aktori i njohur për rolet e tij në filma si “The Gladiator” (2000) dhe “Guardians of the Galaxy”, ka pranuar se po përballet me sfida financiare pavarësisht një karriere të suksesshme prej tre dekadash në Hollywood. Në një intervistë për emisionin ‘African Voices Changemakers’ të CNN-it, 60-vjeçari theksoi se ndjehet i nënvlerësuar dhe i paguar më pak seç meriton. “Ende luftoj për të mbajtur veten”-deklaroi Hounsou. “Jam pjesë e industrisë së filmit për më shumë se 20 vite, kam dy nominime për ‘Oscar’ dhe kam qenë pjesë e shumë filmave të suksesshëm, por vazhdoj të përballem me sfida financiare. Nuk jam paguar asnjëherë aq sa duhet”.

Hounsou gjithashtu foli hapur për racizmin sistematik në industrinë e filmit, duke theksuar se puna e tij nuk është vlerësuar sa duhet për shkak të ngjyrës së lëkurës. “Në Oscar më injoruan sikur sapo të kisha zbritur nga një varkë skllevërish”, tha ai. “Industria ka ende shumë për të bërë për të arritur një diversitet të vërtetë”. Vështirësitë financiare të aktorit dolën në pah edhe vitin e kaluar kur ai u përpoq të jepte me qira shtëpinë e tij në Westchester, Kaliforni. I lindur në Cotonou, Benin, Hounsou emigroi në Shtetet e Bashkuara në moshën 23-vjeçare. Ai realizoi rolin e tij të parë të rëndësishëm në filmin “Unlawful Entry” në vitin 1992, ndërsa fama botërore erdhi në vitin 2000 me rolin në “The Gladiator”.
Megjithatë, ai shprehet se suksesi nuk është përkthyer në shpërblim të drejtë financiar.
Më ofrojnë gjithmonë shuma të ulëta dhe më thonë se më vlerësojnë, por nuk mund të paguajnë më shumë”-tha ai. Hounsou thekson se Hollywood-i vazhdon të vuajë nga probleme të thella me diversitetin dhe barazinë. “Racizmi sistematik nuk do të ndryshojë brenda natës. Koncepti i diversitetit mbetet ende një ide, jo një realitet. Dikur ndihesha sikur duhet të isha i lumtur vetëm pse isha nominuar për Oscar, dhe kaq. Vazhdoj të përpiqem të siguroj një jetë të qëndrueshme. Kam bashkëpunuar me njerëz që janë jashtëzakonisht të pasur, por nuk kam fjalë të mira për ta. Ndihem i tradhtuar, si në aspektin financiar, ashtu edhe në atë profesional.



