Robert De Niro është një prej emrave më të mëdhenj të kinematografisë amerikane. Me një karrierë që shtrihet në më shumë se gjashtë dekada, aktori ka interpretuar në disa prej filmave më të njohur të Hollywood-it, nga “Taxi Driver” dhe “Raging Bull te Goodfellas”, “Heat”, “The Irishman” dhe “Joker”.

I lindur më 17 gusht 1943 në New York, De Niro e zbuloi pasionin për aktrimin që në moshë të re. Në moshën 16-vjeçare ai la shkollën për t’iu përkushtuar profesionalisht aktrimit, duke studiuar ndër të tjera me Stella Adler dhe Lee Strasberg. Një nga momentet vendimtare të karrierës së tij erdhi në vitin 1973, kur nisi bashkëpunimin e famshëm me regjisorin Martin Scorsese në “Mean Streets”. Vetëm një vit më vonë, Francis Ford Coppola e zgjodhi për rolin e Vito Corleone të ri në “The Godfather Part II”, interpretim që i solli De Niros çmimin e parë Oscar, si aktori më i mirë në rol dytësor.

Në vitin 1981 fitoi Oscar-in e dytë, këtë herë si aktori më i mirë protagonist, për interpretimin e boksierit Jake LaMotta në “Raging Bull”. Gjatë karrierës së tij, De Niro ka marrë edhe disa nominime të tjera për Oscar, përfshirë për “Taxi Driver”, “The Deer Hunter”, “Awakenings”, “Cape Fear”, “Silver Linings Playbook” dhe “Killers of the Flower Moon”.

Megjithatë, një nga mesazhet e tij më të njohura nuk lidhet vetëm me kinemanë, por me mënyrën se si ai e sheh jetën dhe kalimin e kohës:

“Koha vazhdon të ecë. Prandaj, çfarëdo që do të bësh, bëje. Bëje tani. Mos prit.”

Një filozofi që duket se pasqyron edhe vetë karrierën e aktorit. Edhe pas më shumë se 60 vitesh në ekran, De Niro vazhdon të jetë aktiv në kinema dhe televizion. Karriera e tij është shtrirë gjithashtu në regji dhe produksion. Ai ka drejtuar “A Bronx Tale” dhe “The Good Shepherd”, ndërsa së bashku me Jane Rosenthal themeloi “TriBeCa Productions” dhe më vonë ishte mes bashkëthemeluesve të “Tribeca Film Festival”.

Për kontributin e tij në kinematografi, De Niro ka marrë një sërë vlerësimesh prestigjioze. Në vitin 2025 ai u nderua edhe me Palmën e Artë të Nderit në Festivalin e Filmit në Kanë, një tjetër vlerësim për një karrierë që ka lënë gjurmë në historinë e kinemasë. Dhe pas gjithë këtyre dekadave, mesazhi i tij mbetet i thjeshtë: koha nuk pret askënd, ndaj nëse dëshiron të bësh diçka, bëje tani.