Historia e qenit Beily ka prekur opinionin publik në mbarë botën, pasi pudëli i vogël arriti të mbijetojë për 29 ditë nën rrënojat e tërmetit shkatërrues që goditi Venezuelën më 24 qershor. Gjatë gjithë kësaj kohe, ai qëndroi pranë trupit të pajetë të kujdestares së tij, duke u kthyer në një simbol të besnikërisë dhe shpresës mes një prej fatkeqësive më të rënda që ka përjetuar vendi.

Tërmeti la pas rreth 5.400 viktima dhe mijëra persona të zhdukur, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë ende operacionet në zonat e prekura. Beily u gjet pranë trupit të gjyshes së Victoria Rengel, një vajze 11-vjeçare që i mbijetoi tërmetit së bashku me babanë e saj. Në një prononcim për mediat vendase, Victoria tregoi se qeni nuk ishte larguar nga e ndjera sepse përpiqej ta mbronte.

“Ai qëndroi aty sepse donte ta mbronte. Do ta kujtoj gjithmonë sa shumë e donte nënën time”, tha vajza. Zbulimi i qenit ndodhi gjatë operacioneve për largimin e rrënojave në zonën e La Guaira. Sipas ekipeve të shpëtimit, lëvizja e një ekskavatori mbi rrënoja bëri të mundur zbulimin e shenjave të jetës nën strukturën e shembur, duke çuar në nxjerrjen e Beily-t.

Sipas autoriteteve, qeni arriti të mbijetonte për gati një muaj pa ushqim dhe ujë, ndërsa përballoi edhe temperaturat e larta të shkaktuara nga zjarret që shpërthyen pas shembjes së ndërtesës. Historia e Beily-t është krahasuar me atë të maces Luli, e cila u shpëtua 23 ditë pas tërmetit, ku të dy rastet janë kthyer në simbole të lidhjes së fortë mes njerëzve dhe kafshëve të tyre.