Fotot janë publikuar nga një e përjavshme australiane dhe janë realizuar rreth një vit më parë, në muajin e tyre të mjaltit


15 muaj pas martesës së tyre, dalin në shesh edhe fotot ‘sekrete’ të muajit të mjaltit të çiftit mbretëror William e Kate, në ishujt tropikal. Çifti, që dëshironin të kishin më në fund pushime tërësisht private, pasi e ndanë ceremoninë e dasmës së tyre me të gjithë botën, nuk arritën në fakt t’i shpëtonin syrit të vëmendshëm të një paparaci në plazhet e Seychelles, i cili mesa duket ka qenë i përgatitur shumë mirë


Një e përjavshme australiane me titull “Woman’s Day”, ka botuar fotot tërësisht ekskluzive dhe njëra prej tyre ka zënë gjithë kopertinën e revistës. Në foto duket çifti i të sapomartuarve të kapur për dore, që ecin përgjatë oqeanit; ai me një palë bokse me lule, ndërsa ajo me një trup shumë të dobët, mban veshur një palë bikini të zeza.


Ndërkohë, të menjëhershme kanë ardhur reagimet nga ‘Buckingham Palace’ nga ku janë shprehur se ndihen të turbulluar dhe të tradhtuar nga botimi i këtyre fotove, të cilat presupozohej të ishin tërësisht private, pasi ishin shkëputur nga muaji i tyre i mjaltit.

11 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)