Mbrojtësi i Manchester United dhe kombëtares së Anglisë, Harry Maguire, thuhet se refuzoi të paguante një shumë prej 50 mijë paundësh për të mbyllur jashtë gjykatës çështjen që lidhej me arrestimin e tij gjatë pushimeve në Greqi në vitin 2020. Futbollisti humbi një betejë gjyqësore që zgjati gjashtë vite, pasi një gjykatë në ishullin Syros la në fuqi vendimin fillestar dhe e dënoi me 15 muaj burg me kusht për incidentin me policinë në Mykonos.
Sipas burimeve pranë lojtarit, atij i ishte sugjeruar disa herë se çështja mund të zhdukej nëse paguante 50 mijë paund, por Maguire refuzoi kategorikisht një marrëveshje të tillë, duke deklaruar se do të luftojë për të pastruar emrin e tij. Avokatët e tij kanë deklaruar se lojtari është i vendosur ta çojë çështjen deri në Gjykatën e Lartë të Greqisë në përpjekje për të rrëzuar vendimin.
Ngjarja ndodhi në gusht të vitit 2020, kur Maguire ishte me pushime në Mykonos bashkë me familjarë dhe miq. Sipas dëshmisë së tij, një përplasje ndodhi pasi motra e tij u ndje keq dhe dyshohej se mund të ishte helmuar me një substancë në një klub nate.
Pak minuta më vonë, grupi i tyre u ndalua nga persona me rroba civile që më pas rezultuan të ishin policë. Maguire ka deklaruar se në atë moment mendoi se po rrëmbehej dhe u përpoq të largohej nga vendi. Prokurorët grekë e akuzuan për sulm ndaj policisë, rezistencë ndaj arrestimit dhe tentativë ryshfeti, akuza që futbollisti i ka mohuar vazhdimisht.
Pavarësisht vendimit të fundit të gjykatës, burime pranë lojtarit thonë se ai nuk do të kërkojë falje dhe nuk do të paguajë asnjë shumë parash, duke këmbëngulur se është i pafajshëm dhe se do të vazhdojë betejën ligjore për të pastruar emrin e tij.





