E ftuar ditën e sotme në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën ishte Roza Lati. Ajo u shpreh për sfidat, rritjen personale dhe punën me veten.
“Karakteri im rebel ka të bëjë me rritjen time, më vajzën e aktores që ka guxuar dhe ka thyer tabu dhe e kanë gjykuar. Një frymë rebelimi e kam patur sepse kam parë nënën time dhe më vinte natyrshëm. Kur hyra në televizion doja të luaja ping-pong me trurin e publikut”, tha Roza fillimisht.
Pyetjes ‘kur ka nisur Roza ta dojë vetveten?’, moderatorja e njohur iu përgjigj:
“Në momentet e mia më të errëta kam dashur veten. Momenti që të dhimset vetja, është momenti që fillon ta duash veten. Në atë moment dhe universi sjell njerëz që të duan ty. Që plagët e shpirtit të shërohen, duhet të kuptohen fillimisht. Në “BBV”, kuptova që nuk i kam shëruar plagët e shpirtit sepse në përditshmëri hutohem, kur je e izoluar ke kohë të mendosh. Plaga që nuk shëroj dot janë gjërat që s’i kam në dorë, fëmijëria. Kur kujtoj Rozën e vogël më dhimbset vetja dhe ia plas të qarit. Fëmija im s’dua të ketë fëmijërinë time, është frika ime”.