Rrëfimi i fëmijëve të ikonave të humorit shqiptar ishte tema e mbrëmjes së djeshme në emisionin “Top Story”, në Top Channel. Pjesë e panelit ishte edhe vajza e aktorit të madh, Met Bega, e cila kujtoi me nostalgji rolet e të atit.
Por jo vetëm kaq, Matilda Bega tregoi se si njerëzit në rrugë e ndalonin dhe i thonin se sa shumë i ngjan aktores së njohur, Mariana Kondi.
Kjo për shkak se Met Bega ka patur shumë role ku ishte burrë e grua me Marianën. Sipas Matildës, edhe pse u thoshte se nuk është ajo e ëma, njerëzit ishin të sigurt se ‘ajo ishte kopje e Mariana Kondit’.
“Kapin dhe këtë anën e lezetshme, për shembull Roza ka Beharin, unë kam Marianën. Meti në çdo rol ishte burrë e grua me Marianën dhe njerëzit i shikonin, i kishin shumë qejf. Mua njerëzit në rrugë më thoshin se ‘ti i ngjan shumë Marianës, je kopje si Mariana Kondi’. Mami im e ka emrin Ana dhe ajo Mariana, e unë mendoja se më thoshin për mamin. Kur më thoshin Mariana Kondi, u thosha po mami im e ka emrin Ana, nuk është Mariana Kondi nusja. ‘Uaa po mua do më thuash ti’, e dinin njerëzit dhe e besonin”, tha Matilda Bega duke qeshur.