Një tjetër akuzë e rëndë për abuzim seksual ka tronditur familjen e biznesmenit të njohur egjiptian Mohamed Al Fayed. Këtë herë, në qendër të akuzave është vëllai i tij, Salah Al Fayed, i cili akuzohet nga një ish-punonjëse e dyqanit luksoz Harrods se e ka droguar dhe përdhunuar në mënyrë të përsëritur në një rezidencë të izoluar në Skoci.
Gruaja, e identifikuar me pseudonimin Jill për arsye ligjore, ka rrëfyer për BBC Scotland përvojat që pretendon se ka përjetuar gjatë viteve 1990, kur punonte në Harrods në Londër. Sipas saj, ajo u dërgua me avionin privat të familjes Al Fayed në pronën Balnagoun, në Skoci, pasi iu premtua mundësia për të marrë pjesë në një program trajnimi për drejtuesit ekzekutivë.
Ajo pretendon se gjatë qëndrimit në këtë pronë është mbajtur kundër vullnetit të saj, është detyruar të konsumojë lëndë narkotike dhe më pas është abuzuar seksualisht. Jill tregoi se udhëtoi dy herë drejt Skocisë me avionin privat të familjes dhe se, pas mbërritjes në aeroportin e Invernessit, transportohej me automjete drejt rezidencës së Salah Al Fayed. Sipas dëshmisë së saj, ai fillimisht e mashtronte për natyrën e substancave që i jepte, duke i thënë se do t’i bënin mirë. Kur ajo refuzonte t’i merrte, ai bërtiste dhe e detyronte t’i konsumonte.
Gruaja pretendon gjithashtu se Salah Al Fayed kontrollonte pothuajse çdo aspekt të jetës së saj, duke vendosur se çfarë duhej të hante, çfarë të vishte dhe me kë mund të komunikonte. Ajo përshkroi një periudhë izolimi dhe presioni psikologjik, gjatë së cilës, sipas saj, ai shfrytëzonte dobësitë e saj për ta mbajtur nën kontroll.
“Isha e izoluar shumicën e kohës. Ai ishte një person shumë mizor. E dinte që kisha disa dobësi dhe i shfrytëzonte ato. Më bënte të ndihesha sikur isha një person i tmerrshëm”, rrëfeu ajo. Dëshmia e re i shtohet skandalit të abuzimeve seksuale që ka përfshirë familjen Al Fayed, pas akuzave të shumta të ngritura ndaj Mohamed Al Fayed, ish-pronarit të Harrods.



