Ish-banori i “Big Brother VIP 4”, G-Bani, i ka habitur të gjithë me postimin e fundit që ka bërë në “Instagram”. Pavarësisht se ka patur përplasje të forta me Gjestin kur ishte brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri, ai ka treguar hapur mbështetjen e tij për të, vetëm pak ditë para finales së madhe.
Mesa duket reperi i njohur ka vendosur që t’i lërë mënjanë debatet me finalistin e BBV 4 dhe të tregojë një anë tjetër të tij, anën më të butë.
Përmes një postimi në “Instagram”, G-Bani ka shpërndarë një foto ku shihet duke votuar për Gjestin, duke e konsideruar atë më të duhurin për ta fituar çmimin e madh.
“Tash’ që e dogja finalen në shenjë proteste për rruzaren e hedhur në pishinë, besoj kam të drejtë të votoj për cilin ma don shpirti”, ka shkruar ai fillimisht.

Ish-banori gjithashtu falënderoi publikisht Gjestin për një mesazh mbështetës që ky i fundit i kishte bërë për babain e tij:
“Gjesti, të faleminderit për urimin që bane për babin tim dhe më fal për sa herë të kam rënë në qafë me të padrejtë”.
Ndërkohë në fund, G-Bani e përmbylli deklaratën e tij me një mesazh të drejtpërdrejtë:
“Kisha dashur të fitoja vetë, ama nga ata që kanë ngelur aty më dukesh më i miri për çmim të parë. Për hajër edhe hajde më gjallë”.
Finalja e madhe e edicionit të katërt të “Big Brother VIP Albania” do të mbahet këtë të shtunë, më 19 prill.