Ditën e sotme ka nisur transmetimin edhe “Big Brother Fan Club”, nën moderimin e Kiara Titos.

“Nuk mund t’a vazhdoj këtë program e vetme, sepse rëndësia më e madhe e këtij programi janë ata të dy, opinionet e të cilëve janë shumë të vlefshme përsa u përket banorëve”, tha moderatorja e njohur para se të thoshte emrat e dy opinionistëve.

Të parën prezantoi Françeska Muratin, për të cilën tha:

“Komentet për të vërshojnë pa limit në çdo moment. Nuk e dimë nëse ajo do të ketë të njëjtën qasje me banorët e Big Brother VIP përsa u përket opinioneve. Kjo gjë mbetet për t’u parë. Mirëpresim Françeska Muratin”.

Ndërsa kur erdhi radha e Arjan Konomit, Kiara u shpreh:

“Do të mirëpresim atë që ju e keni kërkuar pafund nëpër komente në rrjetet sociale. Rikthimi i tij jam e sigurt që e kanë pritur të gjithë. Për opinionet e tij të drejtpërdrejta dhe gjithashtu për mendimet që zakonisht përputhen edhe me ato të banorëve, edhe me ato të njerëzve që na ndjekin gjithë kohës. Zonja dhe zotërinj, një dhe i vetmi, Arjan Konomi”.

Pas prezantimit, Kiara vendos të ngacmojë pak opinionistin rreth një deklarate që ka bërë pak ditë më parë në një intervistë, përsa i përket një statusi të tij në rrjetet sociale.

“Çfarë na bashkon këtu në shtëpinë e madhe të Top Channel?”, e pyeti Tito.

“Kjo është shtëpia ime. Mos të ngatërroj numrin e viteve, por kam mbi 20 vjet që kam qenë këtu në Top Channel. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij formati sepse është formati ku unë nisa, është formati i Big Brother ku unë u njoha për publikun dhe fillova në televizion. Ndaj është si një rikthim, pavarësisht se jemi në Fan Club. Ishte për mua shumë e rëndësishme. Sa i përket pyetjes që më bëre, unë nëse kam një pakënaqësi, jam shumë i hapur ndaj tyre. Nuk kam patur asnjëherë ndonjë konflikt, asnjë problem me Top Channel. Kam pasur marrëdhënie të mira edhe pas largimit tim, pavarësisht se për një status të caktuar u penalizova. Por unë falënderova, takova njerëzit, jemi takuar, kam ardhur i ftuar në emisione të tjera. Një nga karakteristikat e mia është se nuk mbaj mëri. Ishte një gjë që mund të ndodhte dhe është normale, unë jam i hapur ndaj saj”, u përgjigj Konomi.