E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Ledja Liku, producentja ekzekutive e “Yjet Shqiptarë të Diasporës”. Ajo ka zbuluar si nisi ky projekt, arritjet e emisionit, si dhe çfarë të presim në vazhdim…

Pjesë nga intervista:

Si ishte prezantimi i Danjës me këtë projekt, ku do të jetë moderatorja e gjysmëfinales dhe finales së madhe?

Danjën e kam takuar para një jave, 10 ditësh, për herë të parë. I njoh pak motrën e saj. Më ka surprizuar. Kemi filluar me Danjën me prezantimin e konkurrentëve, që dhe ajo të jetë sa më familjare me to dhe kur të jetë me to, t’ua dijë historinë. Bashkë me konkurrentët, në intervistë me Danjën në backstage, do të kemi një skenë të dytë ku do të jenë dhe prindërit, të cilët do të përcjellin live emocionet e konkurrimit të fëmijës, emocionet e pjesëmarrjes në “Yjet Shqiptarë të Diasporës”. Këto intervista,  janë dhe pjesa më e vështirë që do të realizojë Danja. Danja e ka mirëpritur këtë projekt, ka qenë shumë falënderuese, madje është emocionuar kur mori vesh që do të ishte pjesë e “Yjet Shqiptarë të Diasporës”. Më ka pëlqyer për thjeshtësinë e saj, për zgjuarsinë e saj dhe për vajzën me këmbë në tokë që është. Jemi duke punuar gjithë kohën.

Do të jenë dy gjysmëfinale dhe më pas finalja, si do të zgjidhet fituesi?

Që tani, ne kemi të hapur për 22 konkurrentët, votimin online në website-in e Top Channel. Publiku luan një rol shumë të rëndësishëm, sidomos në kohët e sotme që rrjetet sociale japin atë input të pëlqyeshmërisë tek publiku. Dhe ne kemi funksionuar me skemën, që të shohim se kë ka të preferuar publiku, plus dhe pjesën e jurisë. Do të jetë një miks i të dyve. Pak a shumë si Eurovisioni. /TAR/