Mëngjesin e kësaj të premte, Egli Tako ishte bashkëmoderatore në emisionin “Wake Up”, së bashku me Blendi Salaj.

Në një moment gazetari i njohur i lexon asaj disa mesazhe që teleshikuesit kishin shkruar në numrin e programit për moderatoren dhe këngëtaren.

Pasi i lexoi komentet të mbushura me pozitivitet, Blendi pyet Eglin nëse i lexon komentet dhe si e bëjnë të ndihen.

Tako u shpreh se është rrahur me komentet e të gjitha llojeve, por nuk mund të tolerojë kur bëhet shpifje në emër të saj, nga portalet. Madje ajo tregoi se një ditë më parë ajo ka bërë një kallëzim për një media që ka mashtruar për të.

Pjesë nga biseda:

Blendi: Jo gjithmonë komentet janë të mira, ka komente, ka artikuj, ka rrjete sociale, portale, gjëra që mund të të marrin dhe të të përdorin imazhin si mall, për të të shitur, pështyrë, përtypur, shtypur. Është kjo egërsira e rrjeteve sociale. I lexon ti këto komente? Si të bëjnë të ndihesh?

Egli: Janë të rralla momentet kur unë ndihem keq që jetoj në Shqipëri. Nuk kam frikë ta them këtë edhe nëse gjykohem. Por, po, ka momente që realisht ndihem keq që jetoj këtu, jo sepse marrim këto komente që marrim apo njerëzit mendojnë që nuk një fije ndarëse midis të shprehurit mendimin tënd dhe të ofenduarit dikë. Këtu ka një ndryshim shumë të madh.

Blendi: Patjetër, sigurisht

Egli: Njerëzit mendojnë se të pasurit të drejtën të shprehësh mendimin tënd të lirë, ti mund ta ofendosh dikë, ta bastardosh, ta degjenerosh, ti ke të gjithë të drejtën e botës, është mendimi jot. Absolutisht jo. Arsyeja pse më vjen keq është për faktin që nuk mbahet përgjegjësia e duhur, sepse njerëzit mund të jenë të çfarëdo lloj klase shoqërie, të çfarëdo lloj formimi dhe aq kanë e aq bëjnë. Por përgjegjësia që duhet të mbahet nuk është ajo e duhura. Funksionojnë pak më ndryshe gjërat. Por unë vazhdoj sërish të besoj te shteti, te drejtësia, vazhdoj sërish të besoj se Shqipëria ka premisa për t’u bërë një vend më i mirë, me produkte më të mira dhe me njerëz më të edukuar dhe më të mirë. Me pjesën e komenteve jam mësuar. Domethënë kam ardhur në një pikë që komente nga individë të caktuar që unë se di kush janë, nuk më ndikojnë më në jetën time. Ajo që nis të ndikojë është kur këta individë të panjohur marrin peshën për të qenë një referencë për një media, për një portal, të cilët janë të regjistruar si biznese në shtet. E këta duhet të mbajnë një përgjegjësi shumë të madhe për fjalët që nxjerrin nga goja dhe për titujt që shkruajnë. Është shumë e freskët diçka që ka ndodhur. Unë jam rrahur shumë, u bë një vit. Në dhjetor bëhet fiks një vit që nga momenti që jam futur në “Big Brother” dhe gjithë kjo peripecia e daljes, e komenteve dhe lajmeve. Kurrë nuk kam dërguar një mesazh kundrejt dikujt, qoftë kërcënues, zero, nuk jam marrë fare. As nuk jam drejtuar në organe kompetente, në institucione ligjore. Dje ka qenë hera e parë që kam ndërprerë xhirimet e mia, se ja kisha vënë vetes kusht: po pres edhe një, një që vërtetë ia vlen për t’i dhënë energji nëpër seanca gjyqësore.

Blendi: E ke fjalën për një titull, artikull…

Egli: Dje është kaluar çdo lloj limiti që cenon moralin tim, karakterin tim, të drejtat e mia. Shpifje dhe mashtrime shumë të rënda që nuk mban përgjegjësi askush se çfarë shkruan. E kjo vjen nga një media online që është tejet e rëndë. Është bërë çdo gjë klikim, pak rëndësi ka se çfarë i shkakton ti personit përballë me ato shpifje që po shkruan. Pa marrë parasysh se përfshihen edhe persona të tjerë, që nuk janë figura publike, janë njerëz të mi, kanë familje nga pas, kanë nëna, baballarë të vetët, të nuses. Unë dje jam drejtuar me urgjencë drejt organeve kompetente, kam bërë një kallëzim penal, një denoncim. Pasi të mbaroj këtu, jam menjëherë në takim me avokatin tim për t’iu drejtuar Gjykatës së Tiranës, ku do të hap një proces gjyqësor kundrejt kësaj medie dhe kujtdo medie tjetër që bën sërish një veprim të tillë apo kujtdo individi që guxon sërish të shkelë mbi moralin tim me shpifje, me mashtrime dhe me tituj bastard. Kjo ishte hera e fundit që toleroj.