E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Samantha Shkreli, vajza shqiptare me origjinë nga Shkodra, e cila ka përfaqësuar SHBA në Miss Globe. Si ishte kjo eksperiencë për të dhe cilat janë disa nga kauzat e saj?

“Ka qenë diçka historike sepse kam qenë e para vajzë shqiptare, që përfaqëson Amerikën në kompeticione për Miss. Mua më zgjodhi organizata Miss Globe USA, sepse kam bërë shumë punë kundër trafikimit njerëzor. Kam shkuar nëpër kompeticione që prej 7 vitesh dhe më kanë zgjedhur mua, sepse e kanë ditur që mund ta përfaqësoj Amerikën në Miss Globe. Kam qenë shoqëruesja e dytë në Miss Globe, që ka qenë më 15 tetor”, tha Shkreli.

Pjesë nga intervista:

A pati njerëz kundër idesë që një shqiptare do përfaqësonte Amerikën në Miss Globe?

Jo, shumë njerëz kanë qenë të gëzuar. Amerika është vendi i emigrantëve. Edhe kur kam qenë në Miss Globe, kur i kam thënë vajzave që jam shqiptare, janë habitur që përfaqësoj Amerikën. Amerika është vendi i emigrantëve, askush nuk është 100% amerikan. Gjithkush në Amerikë ka ardhur nga diku tjetër. Është vendi i botës. Ka qenë shumë kënaqësi dhe jam krenare që jam një vajzë shqiptare që përfaqëson Amerikën, një vend shumë i madh në botë. Është vendi ku kam lindur dhe jam rritur, dhe ka ndihmuar shumë njerëz duke i dhënë mundësi. Jam shumë e gëzuar.

Çfarë ndieje ti kur duhet të përfaqësoje flamurin e Amerikës, duke qenë një vajzë shkodrane?

Jam amerikane nga lindja, por shqiptare nga zemra. Jam lindur dhe rritur me traditat dhe kulturat shqiptare. Jam shqiptare numër 1. Por kam qenë shumë krenare që përfaqësoj Amerikën, është diçka shumë e madhe. Kur jam në Amerikë bëj shumë punë kundër trafikimit njerëzit, një problem shumë i madh. Më kanë thirrur edhe tek Shtëpia e Bardhë në Washington DC për punën që bëj. Kjo është diçka që jam shumë krenare, që një vajzë e emigrantëve shqiptarë nga një vend i vogël, thirret në Shtëpinë e Bardhë.