Këngëtarja e famshme italiane, Laura Pausini, ka marrë një vendim të fortë personal, duke u distancuar plotësisht nga rrjetet sociale. Artistja ka zbuluar se ka fshirë të gjitha aplikacionet sociale nga telefoni i saj dhe madje ka ndryshuar edhe numrin e telefonit, për të qenë në kontakt vetëm me njerëzit më të afërt.

Në një rrëfim të sinqertë, Pausini pranon se përdorimi i vazhdueshëm i rrjeteve sociale po i kthehej në një varësi të rrezikshme për shëndetin e saj mendor.

“Kam bërë një premtim me veten: i hoqa të gjitha rrjetet sociale, sepse po më krijonin një varësi të sëmurë. Për momentin jam në kontakt vetëm me familjen time”, ka thënë këngëtarja.

Pausini shpjegon se vendimi lidhet edhe me publikimin e këngës së saj të re “Ritorno ad amare”, të cilën e sheh si një pikë kthese për t’u rikthyer tek vetja, për të rivlerësuar dashurinë ndaj vetes dhe marrëdhëniet reale.

Sipas mediave të huaja, artistja ka folur edhe për anën negative të rrjeteve sociale, duke theksuar se ato shpesh janë burim stresi, ankthi dhe urrejtjeje, duke ndikuar drejtpërdrejt në qetësinë shpirtërore.

Vendimi i saj është përshëndetur nga shumë fansa, të cilët e kanë mbështetur për guximin për të vendosur shëndetin mendor mbi presionin e vazhdueshëm online.