Aktorja e njohur, Greer Grammer, ka folur shumë sinqerisht rreth marrëdhënies së komplikuar me babain e saj. Gjatë një interviste në podkastin “Pretty Basic”, ajo zbuloi se për plot 12 vite nuk ka pasur asnjë kontakt me aktorin e njohur të Hollywood-it, Kelsey Grammer.
Sipas saj, kjo periudhë nisi kur ajo ishte vetëm 4 vjeçe dhe zgjati deri në moshën 16-vjeçare.
E pyetur nga moderatorja e njohur, Alisha Marie, nëse ekziston ndonjë keqkuptim që njerëzit shpesh kanë për të, Greer u shpreh se mbiemri i saj i njohur i bën njerëzit të besojnë se ajo është rritur në luksin e botës së Hollywood-it.
“Njerëzit mendojnë se unë kam pasur gjithë jetën time praninë e babait tim dhe privilegjet që vijnë me këtë. Por e vërteta është krejt ndryshe. Babai im më la kur isha katër vjeç dhe nuk e takova sërish deri në moshën 16 vjeçare,” tregoi aktorja.
Greer Grammer shtoi se gjatë terapisë është përballur me pyetjen se kur e kishte kuptuar për herë të parë mungesën e babait, por nuk arrinte ta kujtonte.
Aktorja zbuloi gjithashtu se e kishte takuar Kelsey-n vetëm një herë kur ishte 11 vjeç, por takimi nuk kishte pasur ndonjë ndikim të madh në jetën e saj të asaj kohe.
Sot, marrëdhënia e tyre është përmirësuar dukshëm. Greer, që është fëmija i vetëm i Kelsey Grammer me Barrie Buckner, tha se së fundmi ata kanë krijuar një raport të mirë dhe se babai i saj ka qenë mbështetës në mënyrë financiare dhe emocionale gjatë viteve të fundit.



