Gazetari Elton Tozaj është shfaqur për herë të parë publikisht pas dhunës brutale që pësoi disa ditë më parë.

Në “Shqipëria Live”, ai ka denoncuar se dhuna i erdhi pasi ai publikoi disa video që vërtetonin se një vajzë e njohur e televizionit ishte në lidhje me një personazh të botës së krimit. Ai tregoi se u takua me dy persona që i njihte por pa e ditur se do të dhunohej. Ai tha se nuk mban mend asgjë, pasi ka humbur ndjenjat nga dhuna. Ai tashmë rrezikon të humbasë shikimin, pasi dhunuesit e kanë goditur në pjesën e fytyrës.

“Ngjarja ka ndodhur 12 ditë më parë, në një emision mëngjesi ku unë merrem me lajmet e showbiz, deklarova që një vajzë kishte një lidhje me personazh nga bota e krimit, kam paraqitur dhe videot. Fill pas kësaj, një ditë më pas nuk kanë ndaluar kërcënimet për të fshirë videon dhe unë e fshiva videon. Por kërcënimet vazhduan, më thanë ‘do të të tërheq zvarrë’, ‘do të të vras’.

U kontaktova nga dy persona që i njihja, i kisha takuar vetëm një herë. Lashë takim pa e ditur ç’më priste. Kur i takova nuk mbaj mend asgjë, përveç dhunës, përfundova i dhunuar në rrugë i bërë copë. Humba ndjenjat, do më kenë lënë se kanë menduar që isha i vdekur. Më goditën vetëm në fytyrë. Njerëzve u kërkoja ndihmë por askush nuk afrohej dhe rrinin të tmerruar. Nuk kam bërë denoncim, pres të kem një kontakt nga prokuroria, kam patur tentativë të bëj denoncim por më herët e kanë marrë lajmin të denoncuarit se sa prokuroria. Kam frikë për jetën time, sepse u dhunova për një lajm. Ndihmën e parë e kam marrë nga  dy djem që ishin në këmbë në atë zonë. U kërkova ndihmë për një telefonatë dhe ata pastaj më ndihmuan shumë, i falënderoj publikisht. Sytë i kam të operuar, nesër do shoh nëse mund të bëhet rikuperim, nga njëri nuk shoh mirë. Nesër do e kuptoj nëse të ketë rikuperim. Sytë kanë hematomë, janë komplet të zinj nga brenda.”– tha ai.