Aktorja e njohur amerikane, Dakota Johnson, ka folur hapur për seksualitetin, marrëdhëniet dhe mënyrën se si u rrit në një familje të njohur të Hollywood-it, duke treguar se nëna e saj, aktorja Melanie Griffith, ndikoi shumë në mënyrën se si ajo e sheh trupin dhe dashurinë.
“Jam një person seksual. Nëna ime më rriti që të jem vërtet krenare për trupin tim dhe ta dua atë”, ka rrëfyer Johnson.
Sipas 36-vjeçares, Griffith ka qenë gjithmonë e hapur me të për çështjet e trupit dhe seksit, duke e ndihmuar që të ndihej e sigurt edhe në skenat intime të filmave.
Johnson, e cila u bë e famshme në mbarë botën me rolin e Anastasia Steele në trilogjinë “Fifty Shades of Grey”, tha se nuk e sheh seksualitetin si diçka për të cilën duhet të ndihet në siklet. Ajo theksoi se, kur skenat intime përdoren në mënyrën e duhur brenda një historie, ato mund të kenë rëndësi artistike.
Aktorja foli edhe për mënyrën se si realizohen skenat seksuale në filma. Ajo tregoi se për shumë vite thjesht simulonte aktin seksual gjatë xhirimeve, ndërsa kohët e fundit ka punuar me një koordinatore intimiteti, e cila e ka ndihmuar të gjejë mënyra të ndryshme për t’i realizuar këto skena.
“Ka raste kur kam xhiruar një skenë seksi vetëm, sepse isha e vetmja në kuadër. Thjesht lëvizja dhe bëja sikur po përjetoja momentin”, tregoi Johnson.
Sa i përket dashurisë, 36-vjeçarja tha se nuk beson se ekziston një mënyrë e vetme “e duhur” për të ndërtuar një marrëdhënie. Ajo ka pasur lidhje me disa emra të njohur të muzikës dhe më herët ka qenë në një lidhje disa vjeçare me frontmenin e Coldplay, Chris Martin. Aktualisht, ajo është përfolur për një lidhje me reperin Machine Gun Kelly.
Johnson tha se njerëzit duhet të jenë të lirë të zgjedhin mënyrën se si duan të jetojnë dhe të dashurojnë, qoftë në një marrëdhënie të vetme apo në forma të tjera.
Aktorja foli gjithashtu për fëmijërinë e saj në një familje të famshme. Babai i saj është aktori Don Johnson, ndërsa gjyshja e saj është aktorja Tippi Hedren, e njohur veçanërisht për bashkëpunimin me regjisorin Alfred Hitchcock.
Johnson bëri debutimin në film që në moshën nëntëvjeçare, përkrah nënës së saj në filmin “Crazy in Alabama”, të vitit 1999.
Ajo pranon se fëmijëria në një familje të famshme ishte privilegj, por edhe e vështirë. Prindërit e saj kanë pasur publikisht probleme me alkoolin dhe drogën, ndërsa Johnson nisi terapinë që në moshën trevjeçare, për shkak të situatës së trazuar familjare.
Roli që i ndryshoi jetën erdhi në vitin 2015, kur ajo u përzgjodh për të luajtur Anastasia Steele në “Fifty Shades of Grey”, përkrah Jamie Dornan. Edhe pse trilogjia e bëri yll ndërkombëtar, Johnson ka pranuar se vendimi për të marrë pjesë në filma ishte i frikshëm.
“Po të kisha ditur atëherë se si do të ishte, nuk mendoj se dikush do ta kishte bërë. Por nuk pendohem”, është shprehur ajo.
Tashmë Johnson po përgatitet për publikimin e filmit të ri “Verity”, ku luan përkrah Anne Hathaway dhe Josh Hartnett. Filmi, i bazuar në romanin e Colleen Hoover, sjell një histori të errët dhe të ndërlikuar dashurie.
Pavarësisht famës, Johnson thotë se vazhdon të përballet me ankthin dhe frikën nga skena. Ajo tregon se përdor meditimin dhe ushtrimet e frymëmarrjes për ta menaxhuar ankthin, ndërsa ceremonitë e çmimeve mbeten ndër situatat që e bëjnë të ndihet më e tensionuar.
