Vajza e ish-presidentit Bujar Nishani, Fiona Nishani, ka kujtuar babanë e saj të ndjerë pikërisht në ditën e tij të lindjes. Në një postim në rrjetet sociale, Fiona shkruan se e ka marrë malli shumë për të atin. Ajo ka ndarë me ndjekësit një fotografi me ish-presidentin ku krahas saj shkruan se “nuk e uron dot”.

“Shkoi ora 12:00 dhe unë s’të uroj dot. Më mungon shumë babi”, shkruante ajo në postim.

Ndërkohë kujtojmë që Nishani ndërroi jetë në një spital në Gjermani, ku po trajtohej nga një shërbim i specializuar për sëmundje të mushkërive.

Nishani vuante nga një sëmundje auto-imuno, që rëndoi gjendjen e tij shëndetësore pas infektimit nga virusi Covid-19, që e kapërceu pas kurimit në Sanatoriumin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë. Por Nishani nuk u mbijetoi dot komplikacioneve të mëpasshme në mushkëri, pasoja të Covid -19.

Sipas burimeve zyrtare ish-presidenti Nishani pësoi në spitalin gjerman, vdekje të pakthyeshme klinike, pa shpresa për t’u zgjuar nga koma. Mjekët gjermanë në marrëveshje me familjen përdorën euthanazinë.

“Ende nuk mbushem me frymë”- shkruante më herët Fiona për babanë e saj.