Pas thashethemeve frenetike që qarkulluan ditët e fundit, Mediaset zyrtarisht e ka konfirmuar se “Grande Fratello VIP” do të rikthehet. Ilary Blasi do të marrë stafetën e këtij sezoni, pasi Alfonso Signorini dha dorëheqjen.
Mediat italiane shkruajnë se sezoni i ri i reality show-t do të kthehet rreth mesit të marsit, për një periudhë gjashtëjavore.
Ky konfirmim erdhi nëpërmjet një deklarate zyrtare nga Cologno Monzese, duke mos lënë vend për dyshime rreth drejtimit të ri të formatit.
“Rreth mesit të marsit, Grande Fratello do të kthehet në kohën më të mirë në Canale 5, drejtuar nga Ilary Blasi”, thuhet në deklaratën e Mediaset.
Risia e vërtetë, megjithatë, qëndron në vetë strukturën e programit, e cila heq dorë nga kohëzgjatja e sezoneve të fundit:
“Edicioni i ardhshëm do të ketë një format të ripërpunuar, me një ritëm më intensiv dhe një gjatësi të përgjithshme të ndryshme. Programi do të transmetohet për një periudhë gjashtëjavore”.
Një formulë minimaliste e prodhuar si gjithmonë nga “Endemol Shine Italy” e cila, megjithatë, synon “një qasje të re duke respektuar identitetin e formatit”.
Një rikthim në rrënjët e saj
Ilary Blasi e drejtoi tre sezonet e para “Grande Fratello VIP”, mes viteve 2016-2018.
“Grande Fratello 2026, opinionistët
Ndërsa prezantuesja është përcaktuar tashmë, tema e opinionistëve mbetet e hapur. Ndër emrat më të mundshëm—dhe nuk është hera e parë që del në pah—është Selvaggia Lucarelli.
Ndërkohë kujtomë se së fundmi kanë nisur hetimet ndaj moderatorit të njohur italian, Alfonso Signorini, lidhur me pretendime të rënda që kanë të bëjnë me abuzim me pushtetin dhe kërkesa për favore seksuale në këmbim të përfshirjes në reality-show-n “Grande Fratello”. Prokuroria e Milanos ka hapur një procedurë hetimore pas një kallëzimi penal të paraqitur nga një ish-pjesëmarrës i programit, Antonio Medugno, i cili pretendon se ka qenë subjekt presioni dhe shantazhi.
Mediat në Itali shkruajnë se, akuzat përfshijnë dyshime për sjellje të papërshtatshme dhe shfrytëzim të rolit profesional, por deri më tani nuk ka asnjë vendim gjyqësor apo provë të konfirmuar publikisht. Çështja mori përmasa më të mëdha pas deklaratave të bëra nga figura të njohura të showbiz-it italian në rrjete sociale dhe platforma online, të cilat flasin për një të ashtuquajtur “sistem favorizimi”. Megjithatë, autoritetet ligjore theksojnë se bëhet fjalë vetëm për pretendime që po verifikohen dhe se vlen prezumimi i pafajësisë.


