I ftuar në emisionin “Ndryshe” me Elona Duron dhe Salsano Rrapin ka qenë artisti i njohur Yll Limani. Në këtë intervistë ekskluzive në Top Albania Radio ai ka zbuluar shumë detaje jo vetëm sa i përket muzikës, albumit më të ri por edhe nga jeta personale dhe lidhjet. Këngëtari nuk u rezervua aspak me përgjigjet e tij të sinqerta.

Në çdo intervistë Yll Limani vjen mjaft i sinqertë si rrëfimtar i emocioneve të tij, po a është ka real dhe i drejtpërdrejtë?

Jo. Nuk e di çfarë ndodh kur shkruaj dhe kur krijoj që iki në njëfarë bote. Mund të jem në disponimin më të mirë kur shkoj në studio, por gjithmonë reagoj tek këngët më reflektuese dhe te ato tekste që janë pak më të thella. Por unë në jetën e përditshme jam shumë i lumtur dhe i qeshur. Kur njerëzit më ndalojnë më pyesin për çfarë vuan dhe pse. Është pyetja që më bën nervoz më së shumti, është njëfarë pretendimi që unë gjithë ditën jam duke qarë.

Siç shumë njerëz kanë preferenca të një zhanri të filmit që shikojnë ose të muzikës që dëgjojnë. Unë në këtë rast gjithë jetën kam reaguar te këngët më melo-dramatike. Kur krijoj unë hy në një frekuencë që është pak më e ndjeshme, pak më emotive. Kam pasur dhe unë eksperienca të dhimbshme në jetë kur kam qenë viktima, kam bërë edhe unë gabime ndaj dikujt. Se di por çfarëdo që më ndodh mua apo edhe që e dëgjoj përreth e marr, e shkruaj, e trajtoj, e dramatizoj, e hiperbolizoj. Ndonjëherë them ndalo.