Një stjardesë 38-vjeçare është ndaluar në aeroportin “Il Caravaggio” në Orio al Serio të Bergamos pasi u zbulua se po transportonte bizhuteri luksi të fshehura nën uniformën e saj, pa i deklaruar në doganë. Kontrollet rutinë të kryera nga Agjencia e Doganave dhe Monopoleve së bashku me Guardia di Finanza identifikuan gruan, e cila kishte mbërritur nga Dubai dhe po përpiqej të hynte në territorin italian me sende me vlerë mbi 42 mijë euro.

Gruaja kishte kaluar vijën doganore në zonën e mbërritjeve ndërkombëtare pa bërë deklarimin e detyrueshëm. Sjellja e saj e dyshimtë bëri që oficerët të kontrollonin bagazhin e dorës, ku gjetën dy kuti të markës Rolex dhe dy të tjera Cartier, por të gjitha bosh.

Kur iu kërkua të dorëzonte përmbajtjen e tyre, ajo paraqiti justifikime dhe tregoi një dokument transporti që rezultoi fiktiv, sipas të cilit bizhuteritë supozohej të ishin dërguar në Rusi direkt nga Dubai. Kontrolli u zgjerua më pas edhe mbi trupin e saj. Oficerët zbuluan se gruaja kishte veshur në krah një byzylyk Cartier, ndërsa dy orë Rolex dhe një unazë Cartier i kishte fshehur në një çantë të fortë të vendosur nën fundin e uniformës së fluturimit.

Nga dokumentet e blerjes dhe certifikatat e garancisë që u gjetën në çantën e saj, autoritetet përcaktuan se vlera totale e katër bizhuterive luksoze arrinte në 42.085 euro, ndërsa detyrimet doganore të papaguara kalonin 9 mijë euro. Si pasojë, ndaj hosteses u vendos një gjobë administrative dhe detyrimi për të paguar taksat doganore, për një total prej rreth 11.800 eurosh, ndërsa bizhuteritë u sekuestruan nga autoritetet.