E ftuar pak javë më parë në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ishte Tea Dupi, e cila foli më shumë mbi temën: “shqiptarët bëjnë pushime për qejf apo për tangërllëk?”. Si e mendon Tea trendin e të rinjve sot për t’u dukur sa më shumë?

Pjesë nga intervista:

Sheh në plazh shumë të rinj me marka e me orë Rolex, kaq shumë i pasur është ky populli jonë, apo mos janë ‘fake’?

Shumica e veshjeve, bizhuterive janë imitime. Ai që e ka orën 100 mijë euro, ti nuk e sheh aty fare. Prandaj unë insistoj dhe them që është çështje kulture dhe niveli real. Unë e fus veten te njerëzit që kanë një nivel jetese mesatar, unë dhe burri punojmë me të ardhura të mira, kemi dhe prona të cilat i kemi bërë ndër vite. Sigurisht, unë i kam bërë me shumë kursim, duke mos u hapur me shishe shampanje. Kam mundësinë ta bëj, por më duket një shpenzim i tepërt, një gjë që nuk e shijoj. Do ta shijoja më shumë me një shok, me një shoqe, ndoshta diku në një cep atje, në një fshat, ndoshta të ndiznim një zjarr në darkë. Është çështje koncepti. Unë shoh në rrjete sociale dhe njerëz, mund t’i quaj VIP-a përsa kohë dalin në televizor apo janë blogerë, bredhin botën dhe fotot janë vetëm me një gotë, jo me njerëz. Dhe ti do thuash që e bredh botën vetëm, nuk do gjesh gjithmonë një kamerier që ta bën atë foton. Ti po shet një gjë që nuk është, ia shet atyre që nuk e kanë konceptin e të jetuarit. /Top Albania Radio/