Aryna Sabalenka ka tërhequr sërish vëmendjen jo vetëm me paraqitjen e saj në fushën e tenisit, por edhe me bizhuteritë luksoze që ka zgjedhur të mbajë gjatë US Open.

Tenistja bjelloruse, e cila në Roland Garros ishte shfaqur me bizhuteri me vlerë rreth 140 mijë euro, këtë herë u paraqit në turneun amerikan me një set të veçantë bizhuterish nga koleksioni “Prisma”, i krijuar në bashkëpunim me shtëpinë Material Good.

Sabalenka zbriti në fushë për ndeshjen e dysheve të përziera, ku luajti përkrah Novak Djokovic, e stolisur me vathë, një gjerdan dhe një byzylyk. Seti përmban në total 127 karat gurë të çmuar dhe gjysmë të çmuar, mes tyre safirë, turmalina dhe granatë, në ngjyra dhe forma të ndryshme.

Një nga elementet më të veçantë është gjerdani, i projektuar me baza të hapura që u lejojnë gurëve të lëvizin. Sipas përshkrimit të Material Good, dizajni është frymëzuar nga mënyra dinamike se si Sabalenka lëviz në fushën e tenisit.

Koleksioni “Prisma” përfshin pikërisht tri bizhuteritë që mbajti numri 1 i botës: vathët, gjerdanin dhe byzylykun. Çmimet e tyre nuk janë bërë publike dhe produktet ofrohen vetëm me kërkesë.

Pas ndeshjes, Sabalenka u shfaq në dyqanin e Material Good në Manhattan, ku u bë edhe prezantimi zyrtar i koleksionit. Tenistja i veshi sërish bizhuteritë gjatë eventit.

“Bizhuteritë janë një mënyrë për mua për të shprehur veten, si në fushë ashtu edhe jashtë saj”, u shpreh Sabalenka.

“Ky bashkëpunim më dukej si një hap i natyrshëm në evolucionin e stilit tim”, shtoi ajo.

Në aspektin sportiv, aventura e Sabalenkës dhe Djokovic në dyshet e përziera përfundoi në raundin e 16-shes, pas eliminimit të tyre nga turneu.