Suksesi i Dua Lipës në skenën ndërkombëtare po reflektohet edhe në shifrat marramendëse financiare. Këngëtarja me origjinë nga Kosova raportohet se ka gjeneruar rreth 23.4 milionë funte gjatë vitit të kaluar përmes kompanisë së saj, Radical22 Ltd, duke regjistruar të ardhura që përkthehen në afro 64 mijë funte në ditë. Sipas gazetës britanike Daily Mail, aktiviteti i kompanisë përfshin të ardhurat nga muzika, të drejtat autoriale, koncertet dhe produktet promocionale. Në administrimin e saj përfshihet edhe Dukagjin Lipa, babai i artistes, i cili shërben si menaxher i kompanisë. Ndërkohë, vlera e Radical22 Ltd vlerësohet në rreth 73 milionë funte.

Një kontribut të rëndësishëm në këtë sukses financiar ka dhënë edhe turneu botëror “Radical Optimism”. Me 81 koncerte të zhvilluara, turneu raportohet se ka gjeneruar rreth 162 milionë funte të ardhura gjatë vitit të kaluar. Nga ana tjetër, Radical22 Live, kompania që merret me financat e turneve, ka regjistruar 6.2 milionë funte fitim. Por aktiviteti i Dua Lipës nuk kufizohet vetëm te muzika. Artistja ka zgjeruar praninë e saj në botën e biznesit, përmes bashkëpunimeve me marka të njohura ndërkombëtare, investimeve në sektorin e kujdesit për lëkurën dhe angazhimit në prodhimin e filmave.

Ndërsa vazhdon të shijojë suksesin e projekteve të saj të fundit, vëmendja është përqendruar edhe te hapat e ardhshëm në karrierë. Sipas raportimeve, këngëtarja po përgatitet për albumin e saj të katërt, ndërsa një tjetër turne botëror gjatë vitit 2027 mbetet një mundësi që po përflitet. Me një karrierë që vazhdon të zgjerohet në disa drejtime, Dua Lipa po dëshmon se suksesi i saj shkon përtej hiteve muzikore, duke e kthyer emrin e saj në një markë me peshë të madhe edhe në biznes.