Brirët e drerëve mund të jenë çelësi për riparimin e shpejtë të kockave të thyera te njerëzit, sugjeron një studim i ri. Çdo vit, gjatë pranverës, drerët meshkuj rrisin një palë të reja brirësh, të cilat janë më të mëdha se ato të mëparshmet. Brirët në rritje të drerëve janë të mbuluar me një shtresë të butë dhe me push, të njohur si “velvet”, e cila është e pasur me enë gjaku që furnizojnë me oksigjen dhe lëndë ushqyese indet gjatë formimit të kockës.

Tani, sipas shkencëtarëve amerikanë dhe kinezë, substancat kimike që gjenden në këta brirë mund të ndihmojnë në përshpejtimin e procesit të shërimit të frakturave, duke e reduktuar atë në vetëm disa ditë. Në testet e kryera te minjtë, studiuesit zbuluan se injektimi i këtyre substancave në organizëm bëri që frakturat të shëroheshin në më pak se gjysmën e kohës që zakonisht nevojitet.

Studimet aktuale sugjerojnë se deri në 10% e frakturave te njerëzit nuk shërohen siç duhet. Por, duke shkruar në një revistë mjekësore, shkencëtarët nga Universiteti i Uashingtonit në SHBA dhe Universiteti i Ningbos në Kinën Lindore sugjeruan se substancat kimike të brirëve të drerëve mund të shndërrohen në të ardhmen në një mënyrë të re për të përshpejtuar shërimin e frakturave.

Në studim, shkencëtarët zbuluan se brirët e drerëve përmbajnë më shumë se 300 polipeptide. Pas injektimit të tyre te minjtë me gjymtyrë të frakturuara, studiuesit zbuluan se polipeptidet e brirëve të drerit “përshpejtuan ndjeshëm shërimin e frakturave te minjtë, duke nxitur formimin e kallusit kockor”.

Formimi i kallusit kockor është procesi që ndodh pas një frakture, gjatë të cilit kërci dhe indi kockor kontribuojnë në shërimin dhe rindërtimin e kockës. Shkencëtarët zbuluan se brenda një jave kockat ishin bashkuar. Në krahasim, zakonisht duhen dy deri në tre javë që kjo të ndodhë. Te minjtë që morën injeksione me këto substanca, frakturat ishin shëruar plotësisht pas 21 ditësh, ndërsa normalisht procesi i shërimit zgjat rreth pesë javë.

Duke shkruar në Journal of Orthopaedic Translation, shkencëtarët thanë se, pavarësisht trajtimeve të ndryshme, përfshirë kirurgjinë, fizioterapinë dhe trajtimet biologjike, rreth 5 deri në 10% e frakturave vazhdojnë të kenë probleme me shërimin. “Pacientët me fraktura përballen me rehabilitim të zgjatur, dhimbje të konsiderueshme fizike dhe vuajtje psikologjike, duke krijuar një barrë të madhe për sistemin shëndetësor. Prandaj, ekziston një nevojë urgjente për zhvillimin e strategjive të reja terapeutike për përshpejtimin e shërimit të frakturave”, theksuan studiuesit.

Ata shtuan se brirët e drerëve janë i vetmi organ te gjitarët që është në gjendje të rigjenerohet plotësisht, duke mundësuar formimin e një briri të ri funksional përmes prodhimit të kockave, kërcit, enëve të gjakut, nervave dhe lëkurës brenda vetëm disa muajve.

Sistemi shëndetësor britanik NHS trajton zakonisht rreth 500 mijë fraktura çdo vit në Mbretërinë e Bashkuar. Studime të mëparshme kanë zbuluar gjithashtu se “shtresa e butë” e brirëve të drerëve dhe kaprollëve mund të ndihmojë në shërimin e dëmtimeve të rënda të lëkurës dhe djegieve te njerëzit, ndërsa disa përbërës të gjetur në brirë mund të ndihmojnë në lehtësimin e artritit.